Analisti amerikan, Janusz Bugajski, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë ndezur një tjetër fitil ballkanik, duke ushtruar presion mbi Kosovën për të krijuar një Asociacion të komunave me shumicë serbe. Edhe pse po pretendohet se nuk do ta cenojë Kushtetutën e Kosovës dhe pavarësinë e këtij vende, sipas Bugajskit, në praktikë kjo mund të ketë pasoja serioze negative si brenda vendit ashtu edhe në rajon.
Në një vështrim për “The Geopost”, Bugajski ka thënë se çdo marrëveshje e bazuar kryesisht në përkatësinë etnike në të cilën shteti fqinj nuk e njeh pavarësinë e Kosovës është një recetë për konflikt.
“Nisur nga ky kontekst, Asociacioni do të ofronte një mundësi më të thellë dhe më të gjerë për të minuar shtetësinë e Kosovës. Propozimet e paraqitura në Prishtinë nga SHBA-ja dhe të hartuara dukshëm nga burokratët francezë dhe gjermanë, kanë të paktën tre dobësi thelbësore. Së pari, atyre u mungojnë garancitë e besueshme se institucionet e reja të Asociacionit nuk do të infiltrohen dhe dominohen nga agjentë apo aktivistë të dërguar apo të rekrutuar nga Serbia. Së dyti, nuk ka asnjë mekanizëm të paraparë që Qeveria e Kosovës ta pezullojë Asociacionin nëse liderët e tij shkelin
Kushtetutën përmes diskriminimit etnik, ndarjes ose konfliktit në nivel komunal. Dhe së treti, edhe pa ndonjë qëllim të keq, Asociacioni mund të gjenerojë përçarje dhe pakënaqësi ndërmjet komuniteteve etnike, veçanërisht aty ku pakica serbe është e favorizuar me institucione të veçanta dhe financim të shtuar qeveritar dhe të huaj”, ka thënë ai.
Bugajski ka theksuar se ndikimi i jashtëm i Asociacionit në Kosovë mund të jetë edhe më shpërthyes – duke fuqizuar Beogradin që të ndërhyjë në politikën e fqinjëve të tij dhe duke stimuluar nismat separatiste në mbarë rajonin.
“Grupet etnike që përbëjnë shumicën në disa komuna në vende të tjera mund të kërkojnë status të veçantë ose të pretendojnë se po diskriminohen nga qeveria qendrore dhe për këtë arsye kanë nevojë për institucionet e tyre. Ata mund t’u bëjnë thirrje edhe aktorëve ndërkombëtarë për mbështetje, pasi në Kosovë do të ishte krijuar një precedent i ri për iniciativa të tilla”, është shprehur ai.
Analisti amerikan ka thënë se nëse Prishtina do të pranojë ndonjë asociacion, duhet të miratohen së paku tri politika të njëkohshme për të ndihmuar në mbrojtjen e Kosovës nga destabiliteti.
“Së pari, Serbia duhet të ndërmarrë hapa konkretë në pranimin e pavarësisë së Kosovës edhe nëse nuk ka njohje të menjëhershme formale. Kjo mund të fillojë me amendamentet e Kushtetutës së Serbisë që nuk do ta përcaktojnë më Kosovën si territor serb dhe ndërprerjen e të gjitha përpjekjeve për të bllokuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata shumëkombëshe. Së dyti, procesi i anëtarësimit të Kosovës në NATO duhet të përshpejtohet ndjeshëm me një Plan Veprimi për Anëtarësim ose ndonjë marrëveshje të ngjashme që Prishtina të përmbushë kushtet për anëtarësim. Derisa kjo të arrihet, NATO-ja duhet të shtojë forcën e saj në Kosovë për të treguar se do ta mbrojë shtetin dhe territorin e saj. Dhe së treti, përmbysja e Rusisë ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të luftohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe sistematike në të gjitha fushat informative, ekonomike, të sigurisë, sociale, fetare dhe kulturore. Pa lëvizje të tilla vendimtare, fitili ballkanik do të digjet gjithnjë e më shpejt”, ka thënë ai.