Bill Gates është shprehur kundër ambicieve të Elon Musk-ut për të dërguar njerëz në Mars. Sipas miliarderit amerikan, ato para në fakt mund të përdoren për të shpëtuar jetë duke investuar te vaksinat e fruthit.
67-vjeçari, tha gjatë një interviste për BBC se megjithëse Musk ka një ndikim pozitiv në botë përmes Tesla-s, ai nuk e konsideronte atë si një “filantrop” të vërtetë si Warren Buffet, Jeff Bezos dhe ai vetë.
Bashkëthemeluesi i Microsoft-it njihet edhe si filantrop pasi themeloi Fondacionin Bill dhe Melinda Gates në vitin 2000 me një mision të deklaruar për të përmirësuar kujdesin shëndetësor dhe për të reduktuar varfërinë në mbarë botën.
Kur u pyet nga gazetari i BBC-së, Amol Rajan, nëse shkuarja në Mars ishte një përdorim i mirë i parave, Gates tha: “Jo për mendimin tim”.
“Është shumë e shtrenjtë të shkosh në Mars. Mund të blesh vaksina kundër fruthit dhe të shpëtosh jetë për 1000 dollarë, për jetë të shpëtuar”, tha ai, duke shpjeguar se udhëtimi në hapësirë nuk është një mënyrë me kosto efektive për të shpëtuar jetë.
Gates ka qenë prej kohësh “avokat” i investimeve në vaksina dhe në një numër rastesh ka theksuar që pandemitë dhe sëmundjet vdekjeprurëse paraqesin një kërcënim të madh për të ardhmen e njerëzimit.