Rekomandimi pozitiv për vizat, 2450 qytetarë në ditë pajisen me pasaporta biometrike


Rekomandimi pozitiv i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, ka ndikuar që interesimi i qytetarëve të vendit për pajisje me pasaportë biometrike të rritet dukshëm, percjell Pa Censurë.

Sipas indekseve të fundit të fuqisë së pasaportave, Kosova rradhitej në vendin e 91-të ku të drejtë lëvizje pa viza kishte në 44 vende.

E qytetarët e vendit të cilët janë të pajisur me pasaportë kapin shifrën e mbi 1 milionë personave.

Ministria e Punëve të Brendshme përmes një përgjigje për lajmi.net, ka bërë të ditur se të pajisur me pasaporta biometrike janë gjithësej 1 milion e 2 mijë e 817 qytetarët të vendit (1,002,817), raporton lajmi.net.

Siç bëhet e ditur nga kjo ministri, në ditë mesatarisht 2 mijë e 450 qytetarë pajisen me pasaporta biometrike.

E MPB jep edhe arsyet se pse ka interesim në rritje për pajisje me pasaporta.

Sipas tyre, për shkak të sezonit veror dhe ardhjes së mërgimtarëve, interesimi është më i madh.

Kujtojmë se Kosova mori dritën e gjelbër nga Komisioni Evropian për heqjen e vizave.

Hapat e rradhës deri në përfundimin e këtij procesi janë miratimi në Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Ministrave./Lajmi.net