Fëmijët e dëshmorëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës kanë protestuar përpara godinës së qeverisë në Prishtinë kundër disa deklaratave të kryeministrit Albin Kurti për udhëheqësin serb të vrarë, Oliver Ivanoviç. Me moton “Stop, devijimit të historisë”, protestuesit kërkuan nga Kurti që të kërkojë ndjesë për mesazhin e dhënë për Oliver Ivanoviç dhe të dorëhiqet nga posti i kryeministrit.
Ata u shprehën se fjalimi për Ivanoviç është shembulli më i keq se si një kryeministër shkel mbi historinë e popullit të tij. Kurti, përmes një video-mesazhi e cilësoi ish politikanin serb një person të përkushtuar për të luftuar për interesin e komunitetit e qytetit të tij dhe jo për interesat e Beogradit.
Por, në janar të 2016-s, Lëvizja Vetëvendosje e akuzonte Oliver Ivanoviç si përgjegjës për vrasje, lëndim, dëbim dhe shkatërrim të pronave të shqiptarëve në veri të Mitrovicës. Akuzat i referoheshin faktit se ai u dënua nga gjykata themelore për vrasjen e të paktën tre shqiptarëve në vitin 1999-të, në atë që njihet si Masakra e Mitrovicës.
Mesazhi i kryeministrit të Kosovës është kritikuar edhe nga opozita në Prishtinë, që e ka cilësuar atë hipokrizi dhe shkelje mbi gjakun e dëshmorëve të luftës.