Kuvendi Qendror autorizoi kryesinë e ASH-se të bisedojë për hyrje në Qeveri


Anëtarët e Kuvendit Qendror të Aleancës për Shqiptarët, e kanë autorizuar kryesinë e re partiake që të negociojë me drejtuesit e Qeverisë për përfshirjen e kësaj partie në pushtetin ekzekutiv, shkruan gazeta LAJM.

Kjo ishte pika e fundit e rendit të ditës në mbledhjen e Kuvendit Qendror të ASH-së që u mbajt sot në Kumanovë.

Para fillimit të mbledhjes së Kuvendit Qendror, kryetari i ASH-së, Arben Taravari, tha se nëse nuk arrihen numrat e nevojshëm për ndryshimet kushtetuese, nuk ia vlen të zgjerohet shumica parlamentare. “Personalisht mendoj se nëse nuk ka numër 80 nuk ja vlen të zgjerohet Qeveria. Por them se ka gjëra të cilat mund të ndihmojnë edhe duke u zgjeruar Qeveria. Mendoj se para anëtarëve të Kuvendit do t’i shpalosi të gjitha faktet dhe argumentet të cilat i kam, ta bisedojmë, ta diskutojmë dhe ta vendosim bashkë”, tha Arben Taravari, Kryetar i ASH-së.