9 minutat që e ndanë nga tragjedia në Genova, Saimir Vishaj: Isha me familjen, me fat që shpëtuam

Avokati i njohur penalist, Saimir Vishaj, ka kaluar mbi urën “Morandi” në Gjenova, vetëm nëntë minuta përpara se ajo të shembej. Në një lidhje telefonike për Report Tv, Vishaj ka thënë se ndodhej në Itali së bashku me familjen e tij, ndërsa fati ka qenë me ta që i shpëtuan kësaj tragjedie, e cila deri tani, ka shkaktuar 35 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.

Vishaj rrëfen se e ka mësuar përmes radios, teksa ishte në udhëtim, atë çfarë kishte ndodhur vetëm pak çaste më parë. Ai thotë gjithashtu se Genova është dominuar nga një mot i keq paraditen e kësaj të marte, ndërsa thekson se autostrada dhe ura kanë pasur trafik automjetesh të cilat lëviznin me vështirësi për shkak të motit të keq.

Ishte një ditë stresante. Si asnjëherë më parë nuk kisha parë ndonjëherë stuhi të tillë. Rrugët ishin të mbuluar nga uji. Makinat e vogla e kishin të pamundur të ecnin në autostradë për shkak të prezencës së ujit. Kur i jemi afruar urës, kemi kaluar ngadalë sepse kishte makina mbi urë. Isha familjarisht në Itali, ishte fat i madh. Ishte një mrekulli që i shpëtuam shembjes së urës. Poshtë urës kishte pallate dhe shtëpi private të cilat i ka zënë ura poshtë. Në Itali po përgatiteshin për festë dhe kjo është fatkeqësi përpara një feste kombëtare. Ura është në mes të qytetit dhe lidh Italinë me pjesën tjetër të Europës. Kemi të bëjmë me një urë që ndodhet në mes të qytetit, poshtë urës janë pallatet, është zonë e banuar. Kur jemi kthyer, kam parë që në vendin e ngjarjes po bëhet një punë kolosale kërkim shpëtimi.

Saimir Vishaj, avokat
Pak minuta pas ngjarjes, Vishaj bëri edhe një postim në Facebook ku shkruante se i kishte shpëtuar tragjedisë në Genova. “Faleminderit zoti im. Mas 9 minutave ndodhi tragjedia këtu në Genova”, shkruante Vishaj.