Njeriu është krijuar me një natyrë që anon edhe nga e mira, edhe nga e keqja. Kjo gjendje realizohet sipas pëlqimit dhe caktimit hyjnor dhe është e lidhur fort me faktin se kjo botë është bota e sprovave. Kjo është edhe arsyeja që njeriu vërtitet midis së mirës dhe së keqes, së bukurës dhe së shëmtuarës. Megjithatë, ata që arrijnë në nivelin më të lartë të mirësisë dhe bukurisë, janë pak a shumë të rrallë ashtu si malet e lartë dhe madhështorë. Prandaj dhe një nga poetët më të mëdhenj të lindjes, Shejh Sadi Shirazi e ka përkufizuar njeriun me një fjali të vetme:
“Disa pika gjak dhe njëmijë e një derte!”
Një mal me derte… Mirëpo ata pak fatlumë, që kanë mundur të shpëtojnë nga shqetësimet që shkaktojnë tendencat negative, si lakmitë dhe dëshirat e pafrenueshme, smirat dhe zilitë verbuese, bëjnë përjashtim nga ky përkufizimi i përgjithshëm.
Allahu Teala ka dëshiruar që njerëzit të bëjnë jetë shoqërore. Dhe për të siguruar këtë, mirësitë e Veta i ka shpërndarë duke bërë dallime të disave ndaj disa të tjerëve. Në këtë mënyrë, i ka bërë njerëzit të nevojshëm për njëri-tjetrin. Ky dallim, i cili është vërejtur në çdo periudhë të historisë njerëzore dhe që është i domosdoshëm për sprovën e njeriut, është një parim themelor, i cili mbështetet në caktimin hyjnor për natyrën njerëzore. Për këtë arsye, ky parim nuk mund të eliminohet. Nevoja për solidaritet shoqëror, është treguesi më i mirë i këtij dallimi në krijim. Mirëpo, tek disa njerëz, ky dallim mund të lindë disa anë negative të padëshirueshme, në krye të të cilave vijnë lakmia, urrejtja, smira etj.
Nëse lakmia, e cila zhvillohet si një reaksion zinxhir, nuk frenohet, ajo kthehet në një sëmundje të zemrës e cila quhet smirë. Ata që janë kapluar nga lakmia dhe smira, herët a vonë do të bien në humnerën e humbjes dhe çrregullimit. Këto tendenca që dëmtojnë rëndë esencën njerëzore, në të njëjtën kohë shprehin pakënaqësinë ndaj programit të ndarjes dhe caktimit të Zotit, gjë e cila do të thotë “kryeneçësi”. Kjo është një sëmundje e rëndë e egos (nefsit) dhe ata të cilët kanë rënë në të, nuk arrijnë të kuptojnë gjendjen e rëndë të lakmisë dhe smirës që kanë.