Shqipëria dhe Greqia kanë firmosur që prej muajit maj 2018 një marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit të mjetit (patentave).
Por kjo marrëveshje ende nuk ka hyrë në fuqi.
Para pak kohësh, TV Tribuna iu drejtua ambasadës së Shqipërisë në Athinë, për të mësuar më shumë detaje rreth marrëveshjes dhe hyrjes në fuqi të saj.
Ambasada ktheu përgjigje menjëherë:
Në vijim të kërkesës suaj, teksti i marrëveshjes disponohet nga Ministria e Jashtme. Sa i takon hyrjes në fuqi, ajo bëhet përmes notifikimit të dy palëve të cilat notifikojnë njëra-tjetrën me shkrim (Note Verbale) për përfundimin e procedurave të brendshme. Marrëveshja duhet ratifikuar nga Parlamentet e dy vendeve, për të hyre në fuqi.
Edhe pse marrëveshja është nënshkruar që në muajin maj, qeveria shqiptare e ka miratuar atë vetëm më 31 korrik.
Vendimi u publikua në gazetën Zyrtare më 8 gusht 2018.
Tashmë është bërë hapi i parë që marrëveshja të marrë fuqi ligjore.
Por duhen kryer edhe hapa të tjerë, deri ditën që shtetasit shqiptarë në Greqi të mos i shqetësojë më policia për shkak të patentës.
Marrëveshja përcakton se “hyn në fuqi në ditën e njoftimit të fundit me shkrim të marrë nëpërmjet rrugëve diplomatike, i cili konfirmon se Palët Kontraktuese kanë përmbushur të gjitha procedurat e brendshme ligjore të nevojshme për hyrjen e saj në fuqi”.
Pra, duhet pritur që marrëveshja të miratohet edhe nga qeveria greke, pastaj edhe nga parlamentet e të dy vendeve.