E ëma e Pelé, Celeste, e cila mbushi 100 vjeç nëntorin e kaluar, nuk e di ende se i biri nuk jeton më. Legjenda braziliane e futbollit ishte i sëmurë nga kanceri i zorrës së trashë dhe u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare. Por e ëma këtë gjë nuk e ka kuptuar ende. Kështu ka bërë të ditur motra e O’Rey, Maria Lucia, e cila kujdeset për të ëmën. Gruaja tha se ka folur disa herë me Doña Celeste për gjendjen e djalit të saj. Ajo e bëri të kuptonte seriozitetin e gjendjes, duke i thënë se do të lutej për shëndetin e tij: “Ajo nuk e di. Ne flasim, por ajo nuk e di. Është në botën e saj të vogël. Ndonjëherë të kupton, ndonjëherë jo. Ajo hap sytë dhe unë them, “Le të lutemi për të”. Nuk është e vetëdijshme”, shpjegoi ajo për ESPN.
Më 20 nëntorin e kaluar, Doña Celeste kishte festuar 100 vjetorin e saj. Pele e kishte nderuar në atë rast me një postim në rrjetet sociale: “Sot ne festojmë 100 vjetorin e jetës së Doña Celeste. Që në moshë të re ajo më mësoi vlerën e dashurisë dhe paqes. Unë kam më shumë se njëqind arsye për të qenë mirënjohës që jam djali yt. I ndaj këto foto me ty, me shumë emocion për të festuar këtë ditë. Faleminderit për çdo ditë krah teje, mama”.
MOMENTET E FUNDIT TË JETËS SË PELE
Motra e tij Maria Lucia ka rrëfyer momentet e fundit të jetës së vëllait të saj të shquar. “Ishte shumë e vështirë. E dimë që nuk jemi të përjetshëm, por ma pikëlloi shumë zemrën. Arritëm ta shoqërojmë, ai vetë e ndjeu se po largohej. Ishte i qetë. Folëm pak, e kuptova cfarë ndjente. E dija që po largohej. Duke qenë shumë besimtar, kur më foli, më tha që ishte në dorën e Zotit. Mendoj se futbolli vdes pak me të. Ajo që përfaqësonte, atë që jetoi në botën e futbollit, do të jetë shumë e vështirë për t’u kapërcyer”.