Kush është ‘shoferja’ që drejtonte makinën me 40 kilogram drogë në Qafë-Thanë, punonte për AKSH-in


Erisa Fero është arrestuar nga policia kriminale e Korçës si pjesë e një grupi që kryente tregtinë e drogës.

Gazetari Elton Qyno raporton se Erisa Fero është shefe kompjuterike në Agjencinë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, (AKSH)

Aksioni është kryer nga prokuroria e Pogradecit në bashkëpunim me Drejtorinë e policisë Korçë, duke sjellë arrestimin e zyrtares së AKSH-it dhe bllokimin e 58 kg drogë hashash.

Lënda narkotike vinte nga zona e Shkodrës, ku të implikuar kanë qënë persona nga Fushë-Kruja dhe Korça.

Nga hetimet e kryera rezulton se tre shtetasit kishin kryer transportimin e lëndës narkotike nga qyteti i Tiranës në drejtim të Qafë Thanës, informoi sot policia e Korçës.

Ndërhyrja policore është realizuar në zonën e Qafë-Thanës, pikërisht tek kthesa e restorant Kukësit.

Në momentin e ndërhyrjes është arrestuar Erisa Fero, e cila drejtonte makinen ku në brendësi të automjetit, në pjesën e bagazhit u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 58 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Në makinë së bashku me drejtoreshën e AKSH, ishte dhe Likmend Basha, djali i një biznesmeni nga Fushe-Kruja dhe një 17 vjeçar me inicialet M.K.

Ndërsa dy persona të tjerë, F. S., 30 vjeç dhe G. S., 28 vjeç, banues në fshatin Piskupat, Pogradec, janë shpallur në kërkim, pasi janë larguar me shpejtësi në momentin e ndërhyrjes së punonjësve të policisë.

Qëllimi ishte që droga të shkëmbehej në zonën e Qafë Thanës, ku mendohej si territor jashtë vëmendjes së policisë.

“Po nga veprimet e para hetimore rezulton se trafikimin e sasisë së drogës në drejtim të Maqedonisë, do ta kryenin dy shtetasit e shpallur në kërkim” informoi policia.

Aksioni aktualisht vijon për lokalizimin dhe arrestimin e dy personave të tjerë dhe lidhjeve të tyre.