Nuk ka zgjidhje të shpejtë për uljen e ndotjes së ajrit, e cila këtyre ditëve në Shkup dhe në qytete të tjera në vend ka arritur shkallë shqetësuese. Ministri i Ambientit Jetësor, Naser Nuredini, sugjeron kontrolle më intensive nga ana e inspektorëve, në nivel shtetëror dhe lokal, dhe vazhdimin e projekteve për gazifikim të objekteve publike dhe për transport publik bashkëkohor. Në fuqi është rekomandimi për lirimin nga punë të personave të rrezikuar dhe përshtatja e orarit të punës për ata që punojnë në ambient të hapur.
Maskat sërish u kthyen në rrugët e Shkupit, por këtë herë jo aq për mbrojtje nga viruset, por nga grimcat e dëmshme PM, përqëndrimi i të cilave gjatë ditëve të fundit ka arritur vlera edhe dhjetë herë më të larta se ato të lejuarat.
Sipas platformave për matjen e ndotjes së ajrit, Shkupi sërish gjendet në top-listat e qyteteve më të ndotur në botë. Me indeks ndotjeje të ajrit prej 166, para Shkupit, gjenden vetëm qytete nga Kina, India, Pakistani, Bangladeshi dhe Gana.
Autoritetet shprehin bindjen se investimi i vazhdueshëm në sisteme bashkëkohore në spitalet, shkollat, çerdhet dhe stacionet policore, jep rezultate, por bëhet fjalë për proces të gjatë. Për efekte në afat të shkurtër, janë të nevojshme kontrolle nga ana e inspektorëve, në nivel shtetëror dhe lokal, rekomandon Ministri i Ambientit Jetësor.