Foshnja e lindur pa shenja jete në Spitalin e Pejës, dyshohet se u fut në rrobalarëse


Një foshnje që ka lindur pa shenja jete javën e kaluar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, dyshohet se është futur në rrobalarëse. Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, deklaroi për KOHËN se autoritetet kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet.

“Javën e kaluar ka ndodhur rasti. Prokurorja ka dalë në vendin e ngjarjes. Në prokurori jemi në faza fillestare hetimore dhe nuk mund të ndajmë më shumë informacione për shkak të ndjeshmërisë së rastit. Prokurorja e rastit ka pritur në takim prindin e foshnjës dhe të njëjtin e ka informuar për të gjithë rastin, teksa e ka njoftuar se do ta mbajë të informuar edhe tutje”, deklaroi Nikçi.

Burimet i thanë KOHËS të mërkurën mbrëma se për rastin është e njoftuar edhe drejtoresha e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar, Pranvera Zejnullahu-Raci, por ajo nuk iu përgjigj thirrjeve të mediumit.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci, i tha KOHËS se nuk ka asnjë informacion zyrtar nga autoritetet, “por vetëm po informohet nga mediat”.

Javën e kaluar, zëdhënësi i Policisë në këtë rajon, Fadil Gashi, ka thënë për Kohën se prindi i foshnjës është ankuar në polici pasi bashkëshortja e tij ka lindur foshnjën pa shenja jete, përderisa ishte në muajin e tetë të shtatzënisë.

Gashi ka thënë se familjarët e foshnjës së vdekur kanë insistuar për ta marrë trupin e saj për ceremoninë e varrimit, por nga stafi mjekësor u është thënë se foshnja nuk mund të merrej deri të nesërmen.