Feja e obligueshme të futet në Konceptin e ri për arsimin bazë


Panelistët vlerësojnë se pjesëmarrja e lëndës Etika Religjioze në Arsimin Bazë është e nevojshme për shtetin dhe shoqërinë pasi hulumtimet kanë treguar që edhe prindërit janë të interesuar që fëmijët e tyre ta mësojnë këtë lëndë. Në organizimin e Fondacionit “Konrad Adenauer” u realizua një panel diskutim bashkë me Shoqatën e profesorëve të lëndës “Etika në Religjion”, në të cilën u diskutua rreth temës “Realiteti i ri në shkolla, si dhe krijimi i mundësive me inovacion dhe zgjidhje digjitale”.

Në këtë panel diskutimi ajo që u vërejt ishte prania e madhe e teologëve islam dhe ortodoks që e ligjërojnë këtë lëndë zgjedhore nëpër shkollat e vendit. Qëllimi i këtij projekti ishte përditësimi i diskursit publik për nevojën dhe përfitimet e edukimit fetar në shkollat e Maqedonisë, që sipas bashkëthemelueses dhe koordinatores së Asociacionit të murgeshave Efimija, nënkupton sfida gjithnjë më të vështira që e njëjta të mbijetojë në shkollat e vendit.

“Për ne, rëndësi të veçantë ka rihapja e një diskutimi të tillë publik lidhur me kuptimin dhe mbijetesën e lëndës Etika në Religjion në sistemin arsimor, në aspektin e njohjes dhe mbrojtjes institucionale të asaj që së fundi në vendin tonë ka qenë e njohur si ‘koncepti i arsimit fillor’”, theksoi ajo.

Në panelin e diskutimeve morën pjesë edhe drejtori i Komisionit për marrëdhënie fetare të komuniteteve dhe grupeve religjioze, Darian Sotirovski, Aleksandar Spasenovski profesor i drejtësisë në fakultetin Justiniani Parë, kryetari i profesorëve të Etikës së Religjioneve – Boban Mitevski, si dhe drejtori për mësimdhënie në PEGASUS ELS, Perica Sarxhoski, i cili ofroi zgjidhje të reja digjitale me qëllim rritjen e ndërveprimit dhe përmirësimit të mësimdhënies së pedagogëve në lëndën e Etikës Religjioze.

“Ky event vërtetë është një rast pozitiv për të kujtuar rëndësinë që ka pasur lënda e Etikës së Religjioneve në sistemin arsimor në vend, por edhe për të theksuar se pse mendojmë që kjo duhet ruajtur dhe promovuar. Si shoqëri në aspekte të ndryshme kemi probleme dhe sfida evidente, të cilat janë të rëndësishme për t’u tejkaluar gjatë periudhës më elementare të ngritjes dhe ndërtimit të personalitetit të të rinjve”, tha Sotirovski.

Më tej, ai tha se me rëndësi të veçantë është edhe futja e kësaj lënde në konceptin e ri për Arsimin bazë, pasi sipas tij, do t’i ofronte mundësi të rinjve të mësonin dhe të përsosen pasi ofrimi i njohurive të thata pa e plotësuar me diçka të vlefshme, do të ishte i kotë. “Duke parë nevojat e shtetit dhe shoqërisë, vlerësojë se duhet t’i sigurohet të paktën statusi aktual, por të mendohet edhe promovimi i tij si lëndë e detyrueshme në një klasë të caktuar. Neve na duhet kjo, shoqërisë i duhet”, potencoi Sotirovski.

Sipas profesorit Aleksanar Spasenovski, studimi i edukimit fetar në sistemin arsimor publik është një nga hapat më të rëndësishëm që ka ndërmarrë Maqedonia e Veriut, sepse gjen një arsyetim të përgjithshëm, dhe këtë e tregojnë edhe anketat nga ana e prindërve dhe nxënësve që e mësojnë këtë lëndë.

“Që nga marsi 2021 kur doli koncepti për Arsimin Bazë vërehen disa tendenca negative që lidhen me zhvendosjen e lëndës nga sistemi arsimor publik në kurriz të disa lëndëve të tjera të cilat nuk i plotësojnë pritshmëritë e prindërve, të cilët në masë të madhe duan që fëmijët ta mësojnë këtë lëndë. Si rezultat i konceptimit është degraduar statusi i kësaj lënde sepse në atë koncept fjala ‘etikë’ dhe ‘fe’, nuk përmenden asnjëherë që të nxjerr në përfundim se ekziston frika legjitime që e njëjta të shfuqizohet apo të reduktohet në atë masë që nuk do ta ketë as statusin që ka sot”, deklaroi Spasenovski.

Sipas Spasenovskit shumë familje po ballafaqohen me paqartësi për fatin e tyre, për shkak të heshtjes shumëvjeçare nga ana e institucioneve shtetërore për ankesat legjitime të mësimdhënësve. Sipas tij ata duhet ta dinë fatin e tyre dhe Qeveria është e detyruar të përgjigjet. At Boban Mitevski tha se qëllimi i këtyre veprimeve të Shoqatës së profesorëve të lëndës dhe bashkësisë fetare është të theksojnë rëndësinë e nevojës së mësimit të fesë në sistemin arsimor.

“Vlerësojmë se kjo është e pashmangshme, e padiskutueshme që shoqëria jonë e cila përkufizohet si multikulturore, multietnike dhe multifetare, në një masë të madhe të mbështetet në fe. Ne gjithkund mburremi me objektet dhe vlerat tona fetare pavarësisht cilës fe i përkasim”, tha ai. Sipas Amel Kurtishit, hulumtimet kanë treguar se interesimi për mësimin e fesë tek të rinjtë është i madh pasi kjo është pjesë e identitetit të tyre.

“Përderisa ne ua japim mundësinë për të hulumtuar fenë e tyre dhe fenë e tjetrit do të kontribuojmë që identiteti i tyre të jetë më i qëndrueshëm dhe ata të mund të përballen më lehtë me dilemat që na ofron kjo shoqëri moderne”, deklaroi Kurtishi duke shtuar se përderisa ata nuk dinë asgjë për njëri-tjetrin, qëndrimi fillestar do të jetë negativ, i neveritshëm, por sa më shumë të mësojnë për karakteristikat e fesë së tjetrit do të kthehet në urë që lejon komunikimin. Ai porositi që mos të lejojmë që dikush të ju flasë fëmijëve për fenë dhe t’i çojë në drejtim të gabuar, që më vonë të bëhet shkak për konflikte. (koha.mk)