Jeton Shaqiri: “UT është burim i kuadrove cilësore”


Me themelimin e Universitetit të Tetovës, universitetit të parë shtetëror me mësim në gjuhën shqipe u realizua ideja e paraardhësve tanë, intelektualëve dhe njerëzve me mision dhe vizion për të bërë diçka për të avancuar arsimimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ëndrra e tyre e dikurshme sot është realitet në të cilin jetojmë të gjithë. Të vazhdojmë trashëgiminë dhe të përpiqemi ta ruajmë këtë krenari kombëtare.

Këtë e theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri gjatë manifestimit të sotëm me rastin e 28 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, ku morën pjesë një numër i madh i personaliteteve nga sfera akademike dhe shkencore në vend, studentë, përfaqësues të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ në vend, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik.

“Falënderim të veçantë deri te të gjithë ata që kontribuuan në themelimin e Universitetit të Tetovës dhe faleminderit të gjithëve që u përpoqën dhe po mundohen që ai të përparojë dhe të rritet në një nga shtyllat më të forta të sistemit të arsimit të lartë në vend dhe faktor i rëndësishëm për progresin e përgjithshëm social dhe ekonomik të vendit”, theksoi Shaqiri.

Duke uruar jubileun, ai uroi jetëgjatësinë e institucioni të arsimit të lartë, i cili, siç u shpreh ai, “duke gjykuar nga përpjekjet jo vetëm të punonjësve brenda tij, por edhe nga përpjekjet e shtetit, jam i sigurt se do të ketë një të ardhme premtuese”.

“Ky universitet është burim i kuadrove cilësore që janë integruar me sukses në të gjitha segmentet e shoqërisë dhe një pjesë e madhe e tyre, duke shfaqur aftësi udhëheqëse, marrin pjesë në krijimin e ndryshimeve pozitive dhe ecjen e vendit përpara”, potencoi Shaqiri.

Ai theksoi se ka kaluar koha kur ligjëratat organizoheshin në kushte të vështira dhe se gjeneratat e reja e kanë dukshëm më të lehtë të studiojnë në Universitetin e Tetovës.