“Organizimi i lojërave të fatit” pa licencë – Arrestohen dy persona nga Tetova

ilustrim

Pjestarët e policisë të SPB-Tetovë, mbrëmë (15-dhjetor) rreth orës 22:30 kanë privuar nga liria personat D.S. (32) nga Jançishti i Tetovës dhe Z.S. (38) nga Podbregja e Tetovës nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Organizimi i lojërave të fatit” pa licencë, përkatësisht leje nga organi kompetent, që dënohet sipas nenit 156 të Ligjit për lojërat e fatit dhe argëtimin.

Në një kontroll aksion të kryer dje në dy “VLT-club” në Raotincë të Tetovës dhe selinë e saj në Jançishtë, të kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e të Ardhurave Publike, është zbuluar një platformë ilegale WEB me një listë prej 370 përdoruesish. Dy personat e privuar dyshohet se kanë krijuar emra përdoruesish në këtë platformë dhe u kanë dhënë kredi për baste dhe përdoruesit i kanë paguar me para në dorë për kreditet e marra. Gjatë kontrollit të dy personave iu morën tre celularë dhe një aparat marrës.

Ndryshe, në kontroll aksionin në Raotincë dhe Jançishtë, në dhomat e lojërave të fatit janë gjetur edhe tre të mitur, njëri prej tyre si punonjës. D.S. dhe Z.S. janë ndaluar në Stacionin Policor Tetovë dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të përgatiten parashtresat përkatëse.