Çdo gjë nisi normal të mërkurën në mëngjes në aeroportin e Zuerichut. Pasagjerët e fluturimit GM600 nga Zuerichu që kishte destinacion Prishtinën u kontrolluan, kaluan sigurinë dhe u lejuan të hipnin në aeroplan në kohë.
Aeroplani duhej të fillonte fluturimin në ora 5:45 të mëngjesit. Megjithatë për shkak të temperaturave të ulëta, së pari duhej shkrirë akulli. Por, pastaj filloi tmerri, shkruan “Blick”.
“Dyert u hapën dhe tymi u fut brenda aeroplanit”, ka thënë një dëshmitar për Blickin. Më pas nisi paniku. Edhe njoftimet nga stafi i aeroplanit ishin konfuze. Fillimisht u ishte thënë pasagjerëve të ngrihen e të dalin nga aeroplani e më pas u mbyllën dyert dhe u tha atyre të ulen të qetë.
“Njerëzit më pas hapën dyert vetë”, thotë pasagjeri. Edhe pse linja ajrore Chair thotë se nuk ishte tym, situata u bë delikate për pasagjerët. 132 personat nuk deshën të qëndronin gjatë në të ftohtë, kështu që ata u kthyen në Terminalin 2 të Aeroportit.
Ata është dashur të qëndrojnë aty dhe nuk kanë informacione se si do të vazhdojë . Në aeroport kishte konfuzion. Kishte një njoftim se do të marrim një kupon për një senduiq dhe një pije”, thotë një dëshmitar. “Por, kur deshëm të merrnim stafi nuk dinte gjë”.
Pasagjerët kanë mbetur të bllokuar prej disa orës në Aeroport. Fluturimi GM600 u anulua, e fluturimi i radhës i rregullt për në Prishtinë me kompaninë ajrore Chair nuk do të bëhet deri të enjten.
“Askush nuk di se si do të rrjedhin gjërat”, thotë gazetari. Madje as personeli i aeroportit nuk mund të ndihmojë. Por, derisa njerëzit po presin më shumë informacion, ka një solidaritet të madh mes tyre.
“Ka njerëz që donin të fluturonin në Dubai dhe humbën fluturimet e tyre apo ka edhe që kishin plan të merrnin pjesë në një funeral në Shqipëri”, thotë dëshmitari.
Kompania ajrore “Chair” ka shpjeguar situatën. Sot, në mëngjes, gjatë shkrirjes së akullit për fluturimin GM600 nga Zuerichu për në Prishtinë, mbetjet e lëngut akullues në formë avulli hynë në aeroplan përmes sistemit të ventilimit”, thotë kompania. Kompania ka sqaruar se nuk ishte situatë e rrezikshme për pasagjerët.