Erdogan kërcënon se do ta godasë Athinën me raketa balistike


Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka kërcënuar se do ta godasë Athinën me raketa balistike, veprim që është dënuar nga ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias. Duke folur gjatë një takimi të komunës me të rinjtë në qytetin verior turk Samsun, Erdogan ka thënë se Turqia ka filluar t’i prodhojë raketat e saj balistike me rreze të shkurtra veprimi të quajtura Tayfun, të cilat, tha ai, “po i frikësonin grekët”.

“Grekët kanë thënë se mund të sulmohet Athina. Sigurisht që do të ndodhë”, ka theksuar Erdogan. “Nëse nuk qëndroni të qetë, nëse përpiqeni të blini gjëra nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera për të armatosur ishujt, një vend si Turqia duhet të bëjë diçka”.

Marrëdhëniet midis dy aleatëve të NATO-s dhe fqinjëve kanë qenë prej kohësh të tensionuara, me të dyja palët të ndara për një sërë çështjesh, duke përfshirë pretendimet territoriale në Detin Egje dhe të drejtat e eksplorimit të energjisë në Mesdheun lindor. Të dy ishin në prag të luftës tri herë në gjysmëshekullin e fundit.