Parlamenti holandez kërkon pezullimin e regjimit të vizave nëse Serbia nuk vendos sanksione ndaj Rusisë


Më tetë dhjetor, Dhoma e Përfaqësuesve të Holandës ka miratuar një Rezolutë, përmes së cilës i bën thirrje qeverisë së saj të avokojë në Bruksel për pezullimin e përkohshëm të regjimit pa viza për Serbinë, nëse kjo e fundit nuk përputhet me politikën e vizave dhe të jashtme të Bashkimit Evropian. Propozimi pati mbështetjen e koalicionit qeverisës dhe deputetëve të opozitës.

Ai u dorëzua nga deputetët e dy partive më të mëdha të koalicionit qeverisës, Jeoren van Wijngaarden nga Partia Popullore për Liri dhe Demokraci (VVD) dhe Sjörd Sjördsma nga Demokratët 66. Megjithatë, propozimi u iniciua nga përfaqësuesi i opozitës, Partia Socialiste (PS), Jasper van Dijk. Deputeti Jeoren van Wijngaarden ka shkruar në Twitter se propozimi i tij mori mbështetjen e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit holandez.

“Dhoma e Përfaqësuesve mbështet propozimin tonë për një qasje më të rreptë ndaj Serbisë nëse presidenti Vuçiç nuk i mbështet sanksionet kundër Rusisë. Ndërprerja e procesit të pranimit të Serbisë në BE mund të bëhet një opsion. Ne nuk do të hezitojmë ta përdorim atë”, ka thënë Van Wijngaarden. Të njëjtin postim e ka shpërndarë edhe Petrit Selimi, ish-ministri i jashtëm i Kosovës.

Rezoluta e Parlamentit holandez ka bërë thirrje për pezullimin e regjimit pa viza për Serbinë përmes mekanizmit të frenimit emergjent deri në mars të vitit 2023, “duke pasur parasysh se Serbia po minon gjithnjë e më shumë politikën e jashtme të BE-së për shkak të qëndrimit të saj dashamirës ndaj Rusisë dhe jo- pajtueshmërinë me sanksionet e BE-së, por edhe mos harmonizimin e regjimit të vizave, prandaj gjatë vitit 2022 një numër i madh i migrantëve të parregullt kaluan në BE nga Serbia”.

Sipas Traktatit të Lisbonës, në Bashkimin Evropian ekzistojnë dy lloje të kësaj procedure. Njëra që lidhet me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë dhe tjetra që zbatohet në fusha të tjera, si bashkëpunimi në luftën kundër krimit dhe sigurimet shoqërore.