Në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës, sot u bë promovimi i librit “Sovraniteti dhe Legjitimiteti i Shtetit të Kosovës” i autores Dr. Sc. Salihe Salihut. Ky libër ndër të tjera zbërthen orvatjet dhe perspektivat e Kosovës për të ardhmen, ku janë trajtuar dhe shqyrtuar edhe prolongimet në këtë proces.
Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli theksoi se libri do të jetë një ndihmesë e madhe për studentët e Fakultetit Juridik, pasi që ata do kenë mundësi në detaje të njihen me proceset juridike-kushtetuese të Kosovës në aspektin historik, se si ka qenë statusi i Kosovës në kuadër të ish-Federatës Jugosllave dhe si është tani, por dhe cilat janë pretendimet e shtetit të Kosovës në raport me OKB-në, NATO-n dhe Bashkimin Evropian.
Recensenti i librit, Prof. Dr. Arsim Bajrami u shpreh se, libri në tërësi ka një substancë të fuqishme shkencore dhe meriton të radhitet si një libër universitar në disa njësi akademike dhe është i një dobie të veçantë për studentët dhe studiuesit shkencorë. Siç tha ai, autorja me shkathtësi akademike ka arritur që ta pasqyroj këtë proces nga tri perspektiva shkencore: historike, juridike dhe politike. Pikërisht qasja e saj përmes gërshetimit të perspektivave shkencore tregon se autorja ka një traditë të avancuar të punës shkencore. Ajo, gjithashtu prek aspektet dhe momentet më specifike në mënyrë kronologjike duke i detalizuar faktorët kyçë, që kontribuuan në shpalljen e sovranitetit dhe legjitimitetit të Kosovës. Ajo ka pasqyruar edhe ndihmën ndërkombëtare të NATO-s, duke sjellë argumente pro – intervenimit humanitar dhe domosdoshmërisë për të intervenuar.
Historiani, njëherit edhe recensenti i librit, Prof. Dr. Fehari Ramadani tha se kjo vepër përmban informacione të detajuara dhe shumë të hollësishme për Luftën e Kosovës, krimet e kryera gjatë viteve 1998-1999, intervenimin ushtarak të NATO-s, qeverisjen kalimtare, procesin drejt pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, legjitimitetin e ndërhyrjes ushtarake të Aleancës Veriatlantike dhe atë të Pavarësisë së Kosovës.
“Autorja me këtë vepër e pasqyron politikën kolonizuese e shfarosëse që shteti serb e zhvilloi në Kosovë për një periudhë gati njëshekullore. Autorja jep të dhëna të rëndësishme për vrasjet, masakrat, varret masive, dhunimet dhe personat e pagjetur, burgosjet, e deri te dëbimi i popullsisë shqiptare nga Kosova. Ajo prezanton të dhëna mbi shkatërrimet e kryera, plaçkitjet, djegiet dhe traumat e shkaktuara nga pushtuesit.
Ndërsa autorja e librit, Dr. Sc. Salihe Salihu tha se ideja për këtë libër ka lindur që nga vitet 2002 -2003, kur ishte duke magjistruar në Shkencat Politike në Fakultetin e Lundit, në Suedi.
“Atëherë desha ta argumentoj në gjuhën suedeze, që Kosova e meriton sovranitetin. Në atë kohë nuk e kisha titullin doktor dhe isha në procesin e magjistraturës dhe mu mohua kjo e drejtë, për shkak se ishte një tezë hipotetike dhe nuk dihej nga po orientohej çështja e Kosovës, a do ta fitonte sovranitetin apo jo. Gjatë studimeve atje, mu përforcua akoma më shumë ideja, merrja informata dhe materiale të jashtëzakonshme shkencore për çështjen e Kosovës. Mundësia mu dha në Universitetin e Tetovës, ndaj të cilit jam shumë falënderues për përkrahjen e të gjithëve dhe arrita ta shtjelloj këtë temë, por fokusi im u orientua se çfarë sovraniteti ka Kosova në fakt, a është sovranitet legal, a është sovranitet i brendshëm, apo është sovranitet i ndërvarur. Lexoja shumë, edhe nga lexuesit shqiptarë, pikëpamje të ndryshme, por duhej të shkoja te parimet themelore ku thuhej se sovraniteti që kishte Kosova nënkuptonte një sovranitet absolut dhe kjo teori nuk qëndronte sepse sovraniteti absolut nuk ishte i Kosovës.”, theksoi Dr. Sc. Salihe Salihu.
Në promovimin e kësaj vepre morën pjesë Rektori i UT-së, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, Prorektori për Financa, Prof. Dr. Faton Shabani, senatorë, dekanë, profesorë, studentë, si dhe mysafirë të tjerë.