Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pyetur në lidhje me heshtjen e tij pas ndeshjes Zvicër-Serbi, ndeshje në të cilën shkëlqyen me paraqitje dy yjet shqiptar, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri.
Rama u përgjigj me ironi, duke thënë se nuk është kryeministër i Zvicrës për të reaguar.
Nuk kuptoj realisht pse duhet të flisja, nuk jam kryeministër i Zvicër, jam kryeministër i Shqipërisë, dhe nëse do të ndaja nga skuadra kombëtare dy qytetarë zviceranë që janë shqiptarë të cilët ne i shohim me dashuri dhe simpati të madhe që të gjithë, për një ndeshje të veçantë, çfarë do të bëja konkretisht, do ti përdorja ato figura për politikë. Në një mënyrë aspak dinjitoze, sepse janë ekipi kombëtar i një shtetit tjetër”, tha Rama.
Sipas tij nëse do të reagonte, ai do t’i “fryente zjarrit të një nacionalizmi qesharak”.
“Do t’i fryja zjarrit të një nacionalizmi më falni për shprehjen qesharak. Por, nacionalizmi është gjithëmonë sa qesharak aq i rrezikshëm. Nuk është e nevojshme, nuk e shoh të nevojshme, mendoj që kush e bën këtë nuk bënë gjënë e duhur. Si mund të shkëputen nga skuadra e tyre dy lojtarë që janë qytetarë të atij shteti, dhe për atë arsye luajnë me atë skuadër, për shkak të kombësisë së tyre, të përdoren si mish për top. Për një lojë luftash ballkanike, është…Për sanksionet ato çështje lidhen me politikën e FIFA-s që është tejet strikte për mos-cenimin e kuadrit sportiv në asnjë lloj nuance e cila ka ose mund të kenë natyrë politike”, deklaroi Edi Rama.