Prokuroria Themelore në Ferizaj ka dalë me reagim pas krimit makabër që ndodhi mbrëmë para Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë, ku Sokol Halili dyshohet se vrau ish bashkëshorten e tij, Hamide Magashi, e cila ishte në javën e fundit të shtatzënisë.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria thotë se me datë 20.07.2022, ka pranuar kallëzim penal kundër S.H, nga komuna e Shtimes, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer vepër penale “Dhuna në familje”, dhe me 09.08.2022 ka intervistuar të dëmtuarën H.M, dhe ka udhëzuar palën e dëmtuar në prezencë të mbrojtësit të viktimave nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave që funksion në kuadër të Prokurorisë së Shtetit që të bëjë kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për marrjen e urdhrit mbrojtës.
“Ndërsa, një ditë më vonë, përkatësisht me datën 10.08.2022, prokurori i çështjes ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.H, për veprën penale “Kanosja”, thuhet në njoftim. Gjykata Themelore në Ferizaj më pas ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtjen. Prokuroria thekson se kompetent për zbatimin e urdhrit është Policia e Kosovës.
“Ky urdhër i është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan dhe Policisë së Kosovës – Stacionit Policor në Lipjan dhe në bazë të këtij vendimi, kompetent për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës”./GazetaSinjali/