Për 30 vite të ngrirë, lindin binjakët më të vjetër në botë!

Binjakët Lydia dhe Timothy Ridgeway u mirëpritën në këtë botë në 31 Tetor 2022, pasi për më shumë se 30 vite kanë qëndruar si embrione të ngrira. Sipas të dhënave ata mund të jenë embrionet që kanë qëndruar më gjatë në ngrirje dhe kanë dhënë si rezultat lindjen e fëmijëve.

Sipas Science Alert, embrionet u krijuan për një çift anonim të martuar duke përdorur fertilizimin in vitro, dhe më pas u ruajtën në -196 gradë celsius në azot të lëngshëm më 22 Prill 1992. Embrionet që u zhvilluan në binjakë iu dhuruan Qendrës Kombëtare të Dhurimit të Embrioneve në Knoxville, Tennessee, përpara se dekada më vonë t’u kalonin prindërve Rachel dhe Philip Ridgeway nga Portland, Oregon.

Philip Ridgeway ka qenë pesë vjeç kur embrionet, që tani janë fëmijët e tij, u ngrinë për herë të parë. Ai rrëfen se i zgjodhi embrionet nga një bazë të dhënash donatorësh, e cila liston disa karakteristika të donatorëve. Çifti favorizoi donacionet me numra më të ulët ID, pasi ato do të ishin më të hershmet që do të futeshin në bazën e të dhënave.

“Ne nuk po kërkonim të merrnim embrionet që ishin ngrirë më gjatë në botë. Ne thjesht donim ata që kishin pritur më gjatë”, u shpreh ai. Embrionet mund të qëndrojnë të ngrira pothuajse për një kohë të pacaktuar, megjithëse shkalla e mbijetesës pas shkrirjes është rreth 80%, dhe vetëm një pjesë e embrioneve të transferuara mund të lindin. Në këtë rast, pesë embrione u shkrinë dhe tre ishin mjaftueshëm për t’u transferuar, duke rezultuar në dy lindje të gjalla.

Pavarësisht se kalojnë kaq shumë kohë në ngrirje të thellë, fëmijët pritet të jenë po aq të shëndetshëm sa çdo person tjetër që e filloi jetën si një embrion i ruajtur. Është më shumë mosha e dhuruesit dhe marrësit të embrionit që bën ndryshimin në suksesin e procedurës. Tani, pas një pritjeje të gjatë, jeta mund të fillojë siç duhet për Lydia, e cila lindi 2.6 kilogram dhe Timothy që kur lindi peshonte 2.9 kilogram./tvklan.al