Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi së bashku me një ekip të ngushtë funksionarësh nga Bashkimi Demokratik për Integrim, ka vizituar sot Likovën, Hotlën dhe Mateçin. Në Likovë është përuruar rruga e riparuar Ropalcë-Mateç, ndërsa në Hotël dhe Mateç janë kryer nderime për dëshmorët me ç’rast janë mbjellur dhe disa fidane të reja.
Postimi i plotë në Facebook:
“Bashkë me kryetarin Ali Ahmeti, kryetarin e komunës së Likovës Erkan Arifi, drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore Ejup Rustemi, ministrin e arsimit dhe shkencës Jeton Shaqiri, deputetët dhe banorët e zonës, dita e sotme festive e 114 vjetorit të Kongresit të Manastirit na gjeti në Likovë duke përuruar projekte të realizuara, si rrugën e riparuar tërësisht Ropalcë – Mateç dhe shtratin e rregulluar të lumit në fshatin Hotël. Me homazhet në varrezat e dëshmorëve në Hotël dhe me mbjelljen e fidanëve në Sheshin e Dëshmorëve në Mateç përkujtuam edhe të gjithë ata veprimtarë të kësaj zone në shërbim të përjetësisë së idealit kombëtar të gjuhës dhe arsimit kombëtar në vendin tonë.”, shkruan Grubi.