Zv/kryeministri i parë Artan Grubi në emisionin e mbrëmshëm Klan Debat njoftoi se vazhdojnë përpjekjet për sigurimin e shumicës parlamentare për hapjen e kushtetutës. Sipas tij, duhet hapur debat me shoqërine civile, mediat, fakultetët juridike, partitë politike të shohim se çka duhet të ndryshohet në kushtetutë.
Zv/kryeministri i parë Artan Grubi shprehet optimist se ndryshimet kushtetuese do të përkrahen nga shumica e deputetëve në kuvend, duke përfshirë edhe disa deputetë të VMRO-DPMNE-së. Sipas tij, nuk mjaftojnë vetëm deputetët e Ash por për realizimin e një fronti evropian Grubi thotë se duhen 80 deputet.
”Shumica parlamentare është stabile me 64 vota në favor të shumicës parlamentare nga 120 sa ka gjithsej. Nuk rrezikohet shumica edhe nëse nuk ka zgjerim koalicioni, por jemi duke folur për ndërtimin e një fronti pro-evropian. Kemi nevojë për 80 vota për realizimin e frontit pro-evropian. Nuk mjafton vetëm ASH, por duhet edhe BESA, edhe VMRO sepse vlerësoj se edhe atje ka deputet që do të përkrahin integrimin e vendit në BE. Duhet hapur debat me shoqërine civile, mediat, fakultetët juridike, partitë politike të shohim se çka duhet të ndryshohet në kushtetutë. Jam ithtarë i një debati të këtillë dhe e kam diskutuar edhe në koalician këtë temë. Duhet patur një kushtetutë barazie dhe që i përputhet vitit 2022” – deklaroi Artan Grubi.
Bisedimet për zgjerimin e qeverisë ende nuk kanë arritur në fazën e ndarjes së posteve ministrore, kështu u shpreh zv/Kryeministri i parë Artan grubi në emisionin e mbrëmshëm Klan Debat. Sipas Grubit, nuk ka zëra brenda BDI-së që janë kundër përfshirjes së Aleancës për Shqiptarët në qeveri.
“Nuk ka pasur takim ndërmjet Ahmetit dhe Taravarit deri sot, përveç takimit të liderëve ku të gjithë ishin në Kuvend. Për të arritur deri te kjo që thoni ju, duhet të jetë procesi shumë i avancuar, por nuk është. Tash po bisedojmë vetëm për krijimin e një fronti të madh proeuropian në Maqedoni të të gjitha forcave politike, të cilat duan ta shohin vendin në përparim e sipër”, deklaroi Artan Grubi.
Artan Grubi nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë dhe të qartë për pozitat eventuale që partia e tij, do të mund t’ia japë Aleancës për Shqiptarët, nëse kjo e fundit vendos të bëhet pjesë e shumicës qeveritare. Si pas Grubit, ndarja e pushtetit është problem i vogël. Artan Grubi nuk mendon se për të hyrë një parti tjetër në qeveri duhet të dalë dikush prej brenda. Sipas tij, me rëndësi është krijimi i një fronti të madh politik proevropian që t’u bëjë ballë forcave anti-europiane. /KlanMacedonia/