ASh-ja organizon kongresin e jashtëzakonshëm


Nuk ka akoma asnjë kandidaturë zyrtare për kryetar të ardhshëm të Aleancës për Shqiptarët, por, nga kjo parti presin që ushtruesi i detyrës kryetar, Arben Taravari, të dorëzojë kandidaturën e tij. Afati për dorëzimin e kandidaturave është deri më 28 nëntor kurse nga partia opozitare thonë se të drejtën e kandidimit e kanë edhe anëtarë të tjerë.

“Është e vërtetë se deri tani, përveç ushtruesit të detyrës z. Taravari, i cili edhe ai nuk e ka shprehur në mënyrë eksplicite kandidimin e tij por normalisht ne mendojmë që ai do të jetë dhe kandidati, ndonjë kandidaturë tjetër, ndonjë emër tjetër, deri tani nuk kemi. Por, partia është e hapur, secili anëtar i Aleancës për Shqiptarët ka të drejtë të shprehë kandidaturën”, tha Halil Snopçe, Aleanca për Shqiptarët. Snopçe thotë se nuk ka degë ose grupe që kundërshtojnë zgjedhjen e Taravarit.

“Unë sa e shoh, ish lideri Ziadin Sela qëndron fuqishëm pas doktor Taravarit, po ashtu edhe grupi parlamentar qëndron pas Taravarit. Individë të caktuar mund të ketë si në Kuvend qendror ku 2 vetë votuan kundër por unë nuk shoh rryma ose grupe të organizuara që janë kundër”, shtoi ai.

Taravari vetë ka thënë se do të konsultohet me degët për të parë nëse ka mbështetje përpara se të kandidojë zyrtarisht. Kongresi i jashtëzakonshëm i Aleancës për Shqiptarët do të mbahet më 17 dhjetor. Deri atëherë, kjo parti është në takime të vazhdueshme me degët dhe nëndegët kurse fokusin, e kanë te dega e Tetovës për shkak të rezultatit zgjedhor në zgjedhjet e fundit lokale./Alsat.mk