Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti vlerëson se, reagimi i ambasadës amerikane Angela Ageler rreth zgjedhjes së shefit të Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, Islam Abazi është principiele dhe se për këtë çështje BDI tash më me vite kërkon veting të përgjithshëm, duke filluar nga pushteti lokal në atë qendror.
“Deklarata e ambasadores amerikane është principiele. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit duhet të jetë e pakompromistë. Zgjedhja e trupave të legjislacionit duhet të jenë organe të pavarura dhe gjatë gjithë kësaj kohe kemi promovuar se pushteti ekzekutiv duhet të jetë i pavarur dhe ne tash më disa vite insistojmë që të bëhet veting në të gjitha institucionet shtetërore”, tha Ahmeti pas takimit të djeshëm 11 orësh në selinë partiake në Reçicë të Vogël. Sipas tij, pa veting të përshtatshëm nuk mundemi të jemi të suksesshëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe sundimit të së drejtës.
“Ne jemi për sundim të së drejtës, ne jemi për veting. Partneritet me ne do të ketë gjithkush i cili është i përkushtuar, i vendosur për veting të vërtetë dhe për funksionimin e sundimit të së drejtës. Ajo nënkupton se, i përshpejtojmë hapat drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, me atë që do të jemi të suksesshëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, por ky sukses vjen edhe nga një kontroll i vërtetë i të gjitha figurave politike dhe legjislative, nga pushteti lokal deri te ai qendror”, deklaroi Ahmeti.
Deklarata e Agelerit vjen pasi në opinion qarkulluan disa fotografi të Abazit me figura të BDI-së dhe informata të tjera për lidhje të tij me partinë në pushtet. Abazi ishte i vetmi mes katër pretendentëve për shef të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsionit, i cili hyri në garë pa ofruar program dhe pa dhënë deklarata për media. Ambasadorja amerikane tha se, SHBA është e habitur nga zgjedhja e Abazit, posaçërisht pas miliona dollarëve të harxhuara për trajnim të prokurorëve./Portalb