Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Artan Grubi sot ishte pjesëmarrës në Konferencën “Hapat e para drejt riorganizimit shtetëror”, i organizuar nga ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë në bashkëpunim me Bashkimin Europian.
Raportet e fundit të Komisionit Europian ju referohen në vazhdimësi prioriteteve për të rritur profesionalizmin dhe për të nxitur efikasitetin e administratës shtetërore, gjë që është e mundshme vetëm përmes vendosjes së linjave të qarta të përgjegjësisë dhe për rritjen e nivelit të transparencës, bashkimit të institucioneve me të njëjtat kompetenca dhe zvogëlimit të numrit të tyre, është shprehur Grubi para të pranishmëve duke shtuar se: “Modernizimi dhe depolitizimi i administratës shtetërore, bazuar në praktikat më të mira, rezulton në rritjen e motivimit dhe kreativitetit të punonjësve, produktivitetit në sektorin publik dhe kënaqësisë së qytetarëve. Pikërisht për këto arsye, në shumë vende anëtare të BE-së, rolet dhe përgjegjësitë e autoriteteve shtetërore rishikohen rregullisht me një qëllim të vetëm – thjeshtësimin e organizimit të administratës shtetërore”.
Në vazhdim, fjalimi i plotë:
Kënaqësi të jem sot në mesin tuaj për të shprehur përcaktimin e palëkundur dhe angazhimin e Qeverisë në realizimin e një prej proceseve që determinon avancimin e vendit tonë në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian, atë të reformimit të administratës publike që shënon edhe hapat e para të riorganizimit shtetëror konform standardeve europiane të funksionimit.
Fillimisht, dua të shpreh mirënjohje dhe faleminderit ndaj Delegacionit të Bashkimit Europian që përmes realizimit të këtij projekt kaq kompleks dhe domethënës për vendin tonë po mbështet procesin e domosdoshëm të riorganizimit ligjor dhe institucional të administratës publike, me qëllimin e vetëm zmadhimin e efikasitetit të saj operativ ndaj nevojave të qytetarëve.
Procesi i realizuar i pilotimit në Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike dhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave thekson seriozitetin e sfidës me të cilën po përballemi dhe nevojën për një reformë shumë të thellë. Më vjen mirë që përmes këtij projekti, tashmë kemi në dispozicion qasjen objektive të ekspertëve për mënyrën më të mirë të riorganizimit të këtyre institucioneve.
Mirëfunksionimi i institucioneve është mbi të gjitha parakusht për krijimin dhe zbatimin e suksesshëm të politikave që nxisin zhvillimin social-ekonomik në vend. Raportet e fundit të Komisionit Europian ju referohen në vazhdimësi prioriteteve për të rritur profesionalizmin dhe për të nxitur efikasitetin e administratës shtetërore, gjë që është e mundshme vetëm përmes vendosjes së linjave të qarta të përgjegjësisë dhe për rritjen e nivelit të transparencës, bashkimit të institucioneve me të njëjtat kompetenca dhe zvogëlimit të numrit të tyre.
Rishpërndarja e roleve dhe përgjegjësive, ulja e numrit të posteve të larta drejtuese, përcaktimi i roleve të reja dhe parandalimi i burokratizimit të tepruar janë synime të Strategjisë së Reformës së Administratës Publike (2018-2022), të cilën Qeveria e miratoi në shkurt të vitit 2018.
Modernizimi dhe depolitizimi i administratës shtetërore, bazuar në praktikat më të mira, rezulton në rritjen e motivimit dhe kreativitetit të punonjësve, produktivitetit në sektorin publik dhe kënaqësisë së qytetarëve. Pikërisht për këto arsye, në shumë vende anëtare të BE-së, rolet dhe përgjegjësitë e autoriteteve shtetërore rishikohen rregullisht me një qëllim të vetëm – thjeshtësimin e organizimit të administratës shtetërore.
Të njëjtat praktika janë shembulli që ndoqëm gjatë planifikimit të procesit të riorganizimit në vendin tonë. Reformat në administratën shtetërore nënkuptojnë edhe krijimin e një kulture profesionale në vetë institucionet, e cila do të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve nëpërmjet ofrimit të shërbimeve publike cilësore dhe orientimit më të madh drejt rezultateve.
Riorganizimi i organeve shtetërore është mbi të gjitha obligim ndaj qytetarëve të kësaj shoqërie. Kuptohet se ata presin dhe meritojnë shërbime publike cilësore me kosto më të ulëta. Kjo është arsyeja pse çdo administratë shtetërore efikase nënkupton një përgjigje të plotë dhe efikase pikërisht ndaj pritshmërive të tilla. Fitimi dhe ruajtja e besimit të qytetarëve nënkupton një administratë shtetërore që u përmbahet parimeve bazë – sundimit të ligjit, integritetit dhe paanshmërisë, çiltërsisë, efikasitetit dhe përgjegjësisë.
Pas përfundimit të procesit të pilotimit, Qeveria angazhohet që nga janari 2024 të nisë efektivisht procesin e riorganizimit. Deri atëherë, bëj thirrje për mbështetje të plotë nga të gjithë aktorët politikë dhe të tjerë, si dhe nga çdo individ në shoqëri.
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!