Bashkësia Islame e Kosovës për të dytin vit radhazi therjen e kurbanëve për Bajram po e bën në Hungari dhe jo në Kosovë, siç kishte ndodhur vite më parë.
BIK për këtë ka dhënë si arsyetim kapacitetin e thertoreve hungareze, gjë që sipas tyre, nuk e plotësojnë ato në Kosovë.
Por, profesori i studimeve islame, Xhabir Hamiti, e ka cilësuar veprim të pa precedan këtë të BIK’ut.
“Therja e kurbaneve në Hungari edhe këtë vit veprim i pa precedan! Është ky viti i dytë i cili si vend po na karakterizon me therjen e kurbaneve jashtë vendit. Unë nuk jam duke i rënë në fije kësaj meseleje, e as vitin e kaluar nuk e kam kuptuar këtë marifet të ri”.
Ai ka thënë se nuk dyshon që Hungaria ka kapacitete më të mëdha, por ky sipas tij nuk është justifikim që parat e kosovarëve të shkojnë jashtë shtetit, e të anashkalohen blegtorët kosovarë.
“Nuk dyshoj se Hungaria mund të ketë thertoren më të madhe dhe më të organizuar sesa thertoret në vendin tonë, mirëpo megjithatë ky nuk është asnjë lloji justifikimi para qytetarëve dhe besimtarëve të Kosovës të cilët duan të dinë qartësisht arsyen, se pse parat e kurbaneve të tyre po shkojnë jashtë vendit dhe nga të cilët po përfitojnë shtetas të një vendi tjetër duke i anashkaluar blegtorët vendor”.
Hamiti ka thënë se deri tash nuk ka dëgjuar se ndonjë nga vendet e rajonit t’i therin kurbanët jashtë vendeve të tyre.
“Kultivuesit e blegtorisë në Kosovë, aq sa janë, vazhdojnë të ndihen të tradhtuar me këtë veprim, i cili po ua pamundëson përfitimin nga kultivimi i kafshëve të imta dhe të trasha, të cilat gjatë gjithë vitit i përgatisin me mund dhe përkushtim të lartë për t`ia dedikuar festës së Kurban Bajramit. Deri më tani, nuk kam dëgjuar nga asnjë vend për rreth neve i cili kurbanet i therin jashtë vendit të tyre. Një veprim i tillë ndoshta edhe do të mund të ndodhte, në rast se ka tepricë të kërkesave për Kurban si dhe pamundësi të ruajtjes së mishit në rezervat e vendit, por edhe kjo nuk qëndron në rastin tonë. Se si erdhi kjo ide, dhe prej nga lindi ky zbulim i pa zbuluar më herët mbetet e pa kuptuar deri më sot”, ka shkruar Hamiti.