Në fund muajit mars 2023 uniformat dhe emblemat e policisë do të jenë në dy gjuhë. Këtë e tha vetë ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski gjatë intervistës së tij në emisionin “Rruga drejt” në Alsat. Dekreti i miratuar nga Qeveria është miratuar në mars të këtij viti.
“Dekreti ishte miratuar nga Qeveria dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare më 18 mars 2022. Ka hyrë në fuqi 8 ditë pas sjelljes, ndërsa fillon së zbatuari më së voni 1 vit nga dita e hyrjes në fuqi, përkatësisht më së voni deri më 26 mars 2023. Jemi duke i bërë përgatitjet dhe kur të mbarojë afati duhet të fillojë zbatimi në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve”, u shpreh Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.
Iu deshën dy vite dekretit të propozuar nga MPB-ja që të kalojë në Qeveri edhe pse Sekretariati për legjislacion brenda organit ekzekutiv kishte dhënë mendim pozitiv për të vetëm dy ditë pas kërkesës së drejtuar nga dikasteri i Brendshëm. Sekretariati kishte kërkuar ndryshimin dhe plotësimin e dekretit mbi saktësimin e “gjuhës që e flasin 20% e popullsisë”.
Mendim, nr: 09-2821/2
“Ju kujtojmë për nevojën e plotësimit të neneve 6, 7, 8 dhe 9 duke formuar tabela për çdo nen në të cilët do të konkretizohen të gjitha emblemat të cilave i atribuohet vlefshmëria, ku do të mungojë fjalia hyrëse e cila i referohet territorit të Shkupit dhe komunave ku të paktën 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase. Në Rregullore duhet shtuar edhe fjalitë “dhe alfabetin e saj”. Dispozitat e Ligjit për përdorimin e gjuhëve përcaktojnë qartë zbatimin e gjuhës shqipe në raport me uniformat e forcave të rendit.
Ligji për përdorimin e gjuhëve, Neni 8
“(3) Uniformat e policisë, të zjarrfikësve, të shëndetësisë; në Shkup dhe në komunat në të cilat së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase janë të shkruara në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% të qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe alfabetin e saj”.
Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe ne uniformat dhe emblemat e policisë ishte dispozitë e kontestuar, por mori dritën jeshile falë mendimit të ekspertëve nga Komisioni i Venecias. Për momentin gjuha shqipe aplikohet vetëm në uniformat e Policisë Pyjore./Alsat