“STOP hileve të tregtarëve” – Avancohen të drejtat e konsumatorëve


Avancimi i të drejtave të konsumatorëve. Ndryshim dhe harmonizim i direktivave që deri tani nuk janë rregulluar me legjislacionin evropian. Si dhe saktësimi i nocioneve tregtare, që deri tani nuk kanë qenë të vendosura në ligj. Kjo ndër të tjerash parashikohet me Ligjin e ri për konsumatorët. E drejta e konsumatorëve në aspektin juridik, është mjaft dinamike dhe i nënshtrohet ndryshimeve.

Për konsumatorët tanë deri tani nuk kanë qenë të saktësuara nocionet tregtare si likuidimi i mallit, aksionet, shitjet promocionale, aksionet, lirimet sezonale të prodhimeve dhe shërbimeve. Andaj edhe kjo linte hapësirë për hile apo truqe tregtare, thotë kryetarja e Organizatës së Konsumatorëve të Maqedonisë, Marjana Llonçar Vellkova.

“Tani e tutje, likuidimi i mallit apo rishitja si qarkullim më vete i mallrave dhe shërbimeve lejohet vetëm kur tregtari po ndërpret me punën në ambientet e tij të deritanishme, kur i lëshon ato dhe shkon në ambiente tjerat. Nuk mund të shkruhet një shitje e tillë vetëm sa për sy e faqe. Përcaktohet kur ka likuidim malli, kur ka zbritje dhe kur ka shitje promocionale“, thekson Llonçar.

Konsumatorët shpesh kanë reaguar edhe për uljet sezonale, që ndodh të vendosen në një hark kohor nga kur deri kur zgjasin zbritjet sezonale. Deri tani ato janë vendosur dy herë në vit, në verë, nga 15 gushti deri më 15 shtator dhe në dimër nga 15 dhjetori deri më 15 janar.

Tani uljet sezonale, për një ose më shumë prodhime në sallonet e shitjeve, dyqane, markete do të zgjasë maksimumi 30 ditë, ndërsa promovimi 8 ditë, thuhet në Ligjin e sapo miratuar për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorit. Ai pritet të ndalojë pastrimin e “plehrave” nga magazinat dhe raftet kur u ndodhin tregtarëve dhe do të parandalojnë konkurrencën dhe fitimet e pandershme.

Dyqanet do të kenë ulje sezonale dhe atë verës, nga data 25 gusht deri më 25 shtator të vitit aktual dhe ulje sezonale dimërore nga 25 dhjetori i vitit aktual dhe 25 janari i vitit të ardhshëm. Fillimi i zbritjes do të duhet të specifikohet me një datë. Tre herë ngjitja e çmimit “fillestar shumë të lartë” për të menduar se e keni qëlluar prodhimin në uljen e tretë, të katërt, nuk do të lejohet.

Lejohen maksimumi dy çmime, për të pastruar tregun nga hile të tilla perfide të tregtarëve, vetëm për të blerë produktet e tyre. Për më tepër, ky ligj i gjerë që merr parasysh rregullat evropiane për të mbrojtur konsumatorin, kërkon që kuponët e dhënë nga shitësit, apo tregtarët, duhet të përmbajnë domosdoshmërish një përllogaritje, apo shumën që do të kurseni duke blerë mallrat, dhe jo vetëm të kenë një funksion t’ju imponojnë blerjen.

Gjithashtu, mallrat ose shërbimet e nxjerra në shitje duhet të jenë të shënuara në mënyrë të qartë, të dukshme dhe të lexueshme me fjalët “shitje” ose “shitje aksionale”. Me rastin e shpalljes së shitjes promocionale që mund të zgjasë vetëm tetë ditë, tregtari është i detyruar të deklarojë kohëzgjatjen e saj, përndryshe gjobat janë të larta.

Konsumatorët fitojnë mbrojtje më të madhe edhe me pagesat me avans apo mosdorëzimit e prodhimeve në afat prej një muaji si mobilje, vetura dhe teknikë ë bardhë. Ligji përcakton saktë dhe rregullon edhe shitjen e prodhimeve me gabim të fabrikës dhe prodhime që shiten para skadimit të afatit. Këto prodhime, duhet të shënohen dhe ndahen në mënyrë të qartë.

Tregtarët kanë gjithashtu detyrimin të zëvendësojnë një prodhim për të cilin konsumatori ka përcaktuar se nuk korrespondon në formë, madhësi, model, ngjyrë, numër ose për arsye të tjera. Tregtari do të duhet ta zëvendësojë atë me një produkt të cilësisë së përshtatshme, në afat prej 15 ditësh me kusht që ai të mos dëmtohet. Ndër risitë kryesore në këtë zgjidhje të re ligjore është vendosja e një vëmendje të veçantë ndaj praktikave të padrejta të tregtare, praktikave mashtruese dhe praktikave agresive tregtare gjatë shitjes së mallrave dhe shërbimeve, duke përfshirë edhe patundshmëritë, shërbimet digjitale dhe përmbajtjet digjitale, si dhe të drejtat dhe detyrimet.

Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit ka pësuar deri tani shtatë ndryshime që nga viti 2004. Gjatë harmonizimit me ligjin e konsumatorit në Bashkimin Evropian janë inkorporuar 18 direktiva, ndërsa tani janë dhënë edhe dy direktiva që kanë të bëjnë me rregullimin e kushteve në tregti. Në ndryshimet e fundit, është punuar afër tre vite. (koha.mk)