Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se është i shokuar e i tronditur nga dhu*na e ushtruar ndaj një zonje të moshuar në një shtëpi të të moshuarve në Pejë. Ai ka thënë se edhe më shumë është i tronditur nga indiferenca e vëzhgueseve të kësaj dhu*ne. Abdixhiku në Facebook ka shkruar se pafuqia e asaj zonje, thirrjet e saj që nuk kishte kush t’i dëgjonte aty, duhet të shërbejnë si zë zgjimi për çdo institucion shtetëror sot.
“Ngjarjet si këto nxjerrin anën më të errët të shoqërisë sonë. Ato përveç se të këpusin emocionalisht, të dërmojnë me realitetin e hidhur tek i cili jo rrallëherë po përfundojmë. Kapërcimi nga një shoqëri që respektonte më të vjetrin, në një që ushtron dhu*në ndaj tyre në tallje e përqeshje – është përfundim i trishtë. Dhu*na është problemi ynë shoqëror; dhe kundër saj duhet dhe do të ngritemi të gjithë”, ka thënë ai.