Sot hapet klubi kulturor maqedonas “Nikolla Vapcarov” në Bllagoevgrad të Bullgarisë


Në atmosferë të tensionuar, por me thirrje për përmbajtje nga provokimet dhe incidentet, autoritetet lokale bullgare do të lejojnë që sot të hapet klubi kulturor maqedonas “Nikolla Vapcarov” në Bllagoevgrad të Bullgarisë, njofton Portalb.mk.

Gjatë hapjes nuk do të ketë politikanë bullgarë, ndërkaq nga RMV do të marrin pjesë liderët e partive opozitare VMRO-DPMNE dhe Levica, Hristijan Mickoski dhe Dimitar Apasiev. Gjithashtu do të marrë pjesë edhe sekretari i Kabinetit të presidentit Stevo Pendarovski, Mile Boshnjakovski. Mickoski nga Bllagoevgradi deklaroi se qëllimi i pranisë së tij është që t’i mbështesë maqedonasit në Bullgari.

“Të mbështesim popullin tonë, maqedonasit, në këtë anë të kufirit. Le të dërgojmë një mesazh të qartë se ne jemi maqedonas që flasim gjuhën maqedonase dhe vijmë nga Maqedonia dhe se në shekullin 21 askush nuk duhet të ketë dilemë dhe as të diskutojë fare. E drejta për vetëvendosje duhet të respektohet dhe e drejta jonë për t’u vetëvendosur si maqedonas është e pacenueshme dhe e garantuar me të gjitha aktet ndërkombëtare”, tha Mickoski.

Nga Qeveria nuk do të marrë pjesë askush pasi që siç sqaruan, hapja e klubeve në të dy vendet në këtë mënyrë nuk është në dobi as të komunitetit maqedonas dhe nuk është në funksion të marrëdhënieve të mira fqinjësore.

“Ajo është një fondacion nga Kanadaja që ka ueb-faqen e saj dhe nëse i shikon qëndrimet ndaj interesave shtetërore dhe strategjike do të shihni se nuk është në funksion të interesave të shtetit dhe nuk pres që të jetë në funksion të interesave të qytetarëve apo marrëdhënieve. Nuk them se nuk kanë të drejtë, por nuk më pëlqen kjo tendencë për të keqpërdorur komunitetet nga aktorët politikë”, tha të premten ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski përsëriti se klubi që hapet në Bllagoevgrad është i financuar nga persona privat dhe kushdo që është i interesuar mund të shkojë. Në ndërkohë në Bllagoevgrad është shtuar numri i forcave policore me qëllim që të parandalohet eskalimi i mundshëm i situatës. Kryetari i Bllagoevgrad, Ilko Stojanov tha se nëse do të ketë provokime, ajo nuk do të jetë nga ana e autoriteteve zyrtare, dhe se nëse do të ketë indicie për veprimtari antishtetërore do të reagohet.

Klubet kulturore bullgare në RMV
Hapja e klubit kulturor maqedonas në Bullgari vijon pas hapjes së shoqatave apo klubeve kulturore bullgare në Maqedoninë e Veriut, njëri në Manastir (“Vanço Mihajllov”) dhe tjetri në Ohër (“Car Borisi i Tretë”). Emrat e këtyre dy klubeve, maqedonasit i konsiderojnë kontestues, pasi sipas tyre, janë pjesë e historisë së errët të Bullgarisë.

Ministria e Punëve të Jashtme të RMV-së, ka apeluar deri te të gjithë qytetarët, grupet politike dhe jopolitike, për sjellje të matur dhe dinjitoze, të bazuar në respektimin e të drejtës së të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike, për të ushtruar të drejtën kushtetuese për tubim dhe shprehje të lirë të mendimit.

Më 16 prill 2022, kryeministri bullgar Kirill Petkov, bashkë me funksionarë të lartë bullgar dhe ministrin e Punëve të Jashtme të RMV-së, Bujar Osmani, morën pjesë në hapjen e klubit bullgar “Vanço Mihajllov”. Për opinionin maqedonas ishte emri i klubit ishte diskutabil. Më 4 qershor 2022, këngëtari maqedonas Lambe Alabakovski ia ka vënë flakën pjesës së hyrjes së klubit.

Më 7 tetor të këtij viti, u hap klubi tjetër bullgar me emrin “Car Borisi i Tretë”. Një grup maqedonas protestuan në Ohër kundër hapjes së klubit me pankarta antifashiste, duke aluduar në veprimtarinë e Car Borisit të Tretë të Bullgarisë si aleat të Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Protesta ishte në atmosferë të tensionuar, ndërkaq disa prej qytetarëve kanë gjuajtur në drejtim të objektit.

Më 12 tetor, Policia njoftoi se ka marrë paraqitje se është dëmtuar tabela e klubit kulturor “Car Borisit i Tretë” i Bullgarisë në Ohër

Në ndërkohë, ka pasur paralajmërime për për formimin edhe të një shoqate tjetër bullgare në Maqedoninë e Veriut me emrin e Car Ferdinandit, i cili ka sunduar me Bullgarinë gjatë Luftës së Parë Botërore. Veprimtaria e Car Ferdinandit konsiderohet e dëmshme për Maqedoninë e Veriut, andaj edhe kundërshtohet regjistrimi i shoqatës me emrin e tij. Kryeministri Kovaçevski, ka thënë se institucionet po bëjnë gjithçka të mundur për zgjidhjen e këtij problemi, të cilin ai e ka quajtur si “provokim të rëndë”.

“Ne kemi formuar komision që duhet të vlerësojë nëse kjo shoqatë duhet të lejohet. Institucionet duhet të përcaktojnë nëse formimi i tyre është në përputhje me legjislacionin tonë. Gjithashtu, kemi angazhuar Ministrinë e Drejtësisë për hartimin e një ligji të ri për regjistrimin e shoqatave që do të ketë për bazë ligjin gjerman. Veç kësaj, në hartimin e ligjit kam kërkuar që të përfshihen të gjitha palët, e edhe pjesëtarët e komunitetit hebre”, ka deklaruar Kovaçevski.

Sofja zyrtare në vitin 2019-të kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Me ndërmjetësimin e Francës, në RMV dhe Bullgari u votua një propozim për zgjidhjen e problemeve mes bullgarëve dhe maqedonasve, ndërkaq më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese, gjegjësisht derisa nuk futen bullgarët në Kushtetutën e RMV-së.