BE jep 80 mln euro, Rama: Na duhen 6 herë më shumë për krizën e energjisë


Bashkimi Europian ka akorduar një paketë 80 milionë euro për Shqipërinë për të përballuar krizën energjetike.

Teksa e vlerësoi këtë si një shumë të konsiderueshme, kryeministri Rama në deklaratën e përbashkët me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, u shpreh se Shqipërisë i duhen 6 herë më shumë para për të mos ndërhyrë në çmimin e energjisë.

“80 milionë euro nuk janë pak, është një shifër e konsiderueshme. Megjithatë, këto janë një e gjashta. Këtë vit ne na është dashur në total 460 milionë euro për të ruajtur në këto nivele çmimin e energjisë. Është një shumë marramendëse për tërësinë e buxhetit tonë, por është një shumë që ka ndikuar edhe për inflacionin.

Shqipëria sot ka inflacionin më të ulët në rajon dhe arsyeja kryesore e inflacionit në rajon është fakti që kemi një mburojë financiare për çmimin e energjisë. Nëse ne do të kishim relativizuar këtë mburojë. Nëse do ta kishim prekur sado pak çmimin atëherë kjo do të kishte reflektuar menjëherë tek të gjitha familjet”, tha Rama.