Ndryshimet kushtetuese: Kovaçevski fton partitë në tryezën e bisedimeve


Edhe pse kreu i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski, me bindje të plotë thotë publikisht se deputetët e partisë së tij nuk do t`i përkrahin ndryshimet kushtetuese, Kryeministri Kovaçevski sheh një qasje pozitive tek të gjithë partitë politike. Ai propozon që së shpejti të ulen në një tavolinë të përbashkët për të gjetur një zgjidhje të pranueshme. Këto komente Kryeministri Kovacevski i bëri pas kushtëzimit nga ana e partive shqiptare ASH dhe BESA se do të përkrahin futjen e bullgarëve në Kushtetuë, nëse hiqet formulimi “20%” për gjuhën shqipe.

“E shoh se të gjitha partitë politike kanë një qasje pozitive ndaj ndryshimeve kushtetuese, edhe atë që ishin të vendosur se duhet të jenë kundër tani thonë se me disa kushte do të përkrahnin ndryshimet kushtetuese. Mendoj se duhet të ulën në tavolinë të gjitha partitë politike dhe të gjithë të thuan atë që e mendojnë dhe në fund të vijmë në një zgjidhje që është e pranueshme për të gjithë”deklaroi kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski.
Sa i përket zgjerimit të koalicionit qeverisës, Kryeministri Kovaçevski thotë se nuk ka biseduar me asnjërën prej partive opozitare për mundësinë që ata t`i bashkohen garniturës aktuale qeverisëse./KlanMacedonia