I diskriminojmë pastaj natyrshëm edhe i vrasim

Vrasjet e grave dhe vajzave tona po ndodhin nga sistemi që kemi krijuar si shtet. Fillimisht i kemi zhveshur nga të gjitha të drejtat e tyre, i kemi përbuzë dhe tash edhe po i vrasim. Gratë e vajzat diskriminohen, keqpërdoren, nënshtrohen pastaj radha vjen edhe te vrasja. Ndoshta, policia ka mundur të parandalojë vrasjen e dyfishtë në Gjakovë, por, problemi nuk do të zgjidhej. Problemi është në shtëpinë e secilit prej nesh. Aty, ku fillon vrasja afatgjate dhe e vërtetë e vajzave dhe grave kosovare.

1.

Të gjithë jemi tronditur, edhe disa kriminelë besoj, me krimin makabër në Gjakovë.

E shkreta Valbona, e shkreta vajza e saj dhe familja e tyre.

Katër fëmijët tjerë të asaj familjeje, tani kanë mbetur edhe pa nënë edhe pa baba.

2.

Shumica prej nesh, njëzëri e kundërshtojmë dhunën dhe krimet që janë bërë dhe po bëhen ndaj grave – këtu në Kosovë.

Duhet ta pranojmë: pozita e gruas nuk është e mirë në shoqërinë tonë primitive.

Barazia gjinore vetëm proklamohet. Me këtë kauzë kanë përfituar e pasuruar shumë matrapazë. Mjafton që ky fakt të ilustrohet me një rast: shikojeni qeverinë. Sa ministre i kemi?

Apo ta kujtojmë takimin e fundit në Bruksel: Në anën tonë ishin krejt meshkuj, e në anën tjetër, si për ironi – në anën e evropianëve, krejt gra e vajza.

Apo edhe rasti më brutal: shumica e politikanëve, në takime më të larta të protokollit shtetëror, shkojnë pa bashkëshorte, për dallim prej burrështetasve anekënd botës.

Shikojeni se kush menaxhon me paratë e Shtetit. Të gjitha janë burra. Kush janë në pozita tjera udhëheqëse si Komuna, Universitete, kompani private etj. Asnjë rektor i 1 milion universiteteve në Kosovë nuk është grua.

S’ka si të mos jetë ndrysho kur kjo situatë e mosrespektit, të themi më së buti, transponohet apo konvertohet pastaj në dhunë ndaj gruas.

Kur një bartës i funksioni të rëndësishëm politik apo shoqëror, nuk e respekton gruan, publikisht, çka presim prej një mendje primitive në një qosh të Kosovës?

Kur ne si shoqëri, në shekullin 21, ende e lartësojmë Odën, vendin ku gratë, nuk preferohet të hyjnë, çfarë rezultati presim në fund?

Pa asnjë dyshim, përmirësimi i pozitës së gruas është imperativ në shoqërinë tonë.

Por, unë personalisht mendoj që një lloj diskriminimi latent është edhe insistimi që barazia gjinore të realizohet nëpërmjet kuotave dhe statistikave.

Nuk bënë që një grua të vendoset në një pozitë, vetëm për shkak të gjinisë. Ky veprim është diskriminim. Ama, ne kemi gra të zonja shumë. Madje, janë treguar shumë më të zonjat se ne meshkujt.

3.

Krijimi i një fryme dhe psikoze që asgjë nuk funksionon në Kosovë, duke e përfshirë edhe policinë tonë, po krijon mentalitet dhe ambient defetist. Thjesht, po krijohet mendësia që nuk e kemi merituar shtetin dhe nuk po mundemi ta mbajmë. E këtë momentum, deri në maksimum po e përkrahin armiqtë e shtetësisë së Kosovës. Po krijohet një aurë që Kosova nuk e ka merituar pavarësinë. E ky defetizëm, kjo mendësi, kjo armiqësi ndaj çdo gjëje shqiptare dhe kosovare, është kultivu që njëqind vite: shqiptarët e Kosovës, janë njerëz të egër, dhe nuk e meritojnë shtetin.

4.

Çka ka mundur të bëjë policia në rastin konkret?

Fakt është që aparati shtetëror duke e përfshirë policinë, mund të ketë performancë më të mirë. Shumë më të mirë.

Por, në rastin konkret dhe në rrethanat konkrete, ka qenë mjaft vështirë, që vrasja të parandalohet.

Krimineli i çmendur, shumë shpesh ia arrinë qëllimit. Kemi raste të shumta në botë. Madje edhe presidentët e shteteve vriten. Është vrarë edhe Presidenti amerikan Kenedy, me tërë atë aparat të mbrojtjes së afërt.

Çdo ditë në polici raportohen rastet e dhunës, duke e përfshirë edhe dhunën në familje.

Të rasti i Valbonës, siç u vërtetua gjendja faktike, situata paska qenë edhe më komplekse.

Sipas mbrojtësit të viktimave Agim Pula, e ndjera Valbona Ndrecaj, nuk e ka pranuar ndihmën e Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave, duke thënë se për të do të përkujdeset vëllau i saj.

“Ne i kemi ofruar strehim viktimës, por ajo nuk ka pranuar duke u deklaruar se do të strehohet tek familjarët e saj… “ – ka thënë mbrojtësi i viktimave duke vazhduar “[…] sa i përket anës së mbrojtjes së viktimave, ne i kemi ofruar çka ajo ka kërkuar”.

Sidoqoftë, edhe urdhrin për mbrojte, nuk e nënkupton ruajtjen e viktimës, nga ana e policisë 24 orë në ditë. Natyrisht, policia duhet ta vlerësojë rrezikshmërinë, por me atë lloj urdhri, delikuenti, arrestohet menjëherë, posa e shkel atë urdhër. E urdhri kryesisht konsiston në ndalimin për t’iu afruar viktimës.

Në rastin konkret, krimineli i ka kryer vrasjet në mënyrë dinake.

E ka kërcënuar me mesazh gruan, është fshehur, dhe e ka pritur momentin që ta realizojë qëllimin kriminal.

Natyrisht, duhet të kërkojmë përgjegjësi nga ana e policisë dhe prokurorisë, për çdo lëshim eventual. Duhet të insistojmë që gruaja në Kosovë ta ndien vetën të sigurtë dhe të barabartë me burrat.

Por, në të njëjtën kohë, duhet të besojmë në organet tona shtetërore. Duhet të besojmë në policinë tonë, me të gjitha të metat që i ka. Vetëm duke besuar në organet tona shtetërore, dëshmojmë që e meritojmë shtetin. Dëshmojmë që e duan dhe do ta ndërtojmë shtetin.

Njëherësh, dëshmojmë se vërtetë duam përmirësimin e pozitës së gruas në shoqërinë tonë, që padyshim ka primesa të primitivizmit.

Raste të tilla kriminale, të natyrës më të rëndë, mund të na përsëritën, derisa secili prej nesh, nuk e lufton primitivizmin dhe diskriminimin, në rrethin me vet, dhe me raste e shembuj konkret.

Gruaja do të jetë e sigurt, kur në shoqërinë tonë ndrron mendësia primitive. Kur prej fëmijërisë na mësojnë që femra është e barbartë me mashkullin.

Sa raste që ju i njihni, vajzat e kanë trashëguar pasurinë e prindërve, madje edhe në familje intelektuale?

Mos ta gënjejmë vetën.