I pyetur nëse do të bashkëpunonin me Aleancën për Shqiptarët nëse kjo parti bëhet pjesë e Qeverisë ose nëse partia Alternativa bëhet pjesë e opozitës, kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami në konferencën e sotme për shtyp theksoi se synojnë bashkëpunim me secilin subjekt politik që është në opozitë, përcjell TV21.
“Çdo parti, subjekt politik deri sa është në Qeveri, nuk mund të pretendojmë se mund të kemi ndonjë bashkëpunim opozitar, ne jemi të gatshëm për bashkëpunim me të gjitha forcat opozitare të cilat kanë një qëllim, që përfundimisht të ketë rotacion politik edhe në kampin politik shqiptar”, tha mes tjerash Kasami. Kasami tha se kanë kontakte të vazhdueshme me u.d. kryetarin e Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari dhe se shpreson për bashkëpunim opozitar me ASH-në.
“Po sigurisht që jemi në kontakt të përditshëm, gati të them. Edhe sot kemi një takim të tillë për punët që na lidhin dhe flasim edhe për bashkëpunim politik por ne kemi mirëkuptim për situatën në të cilën gjenden deri në organizimin e kongresit partiak. Besojmë që reflektimi do të jetë pozitiv dhe do të kemi një bashkëpunim opozitar”, tha Kasami.
Kasami edhe sot përsëriti qëndrimin se Lëvizja Besa përkrah mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, me qëllim rrëzimin e pushtetit aktual.