Një telemarketisti, i cili u pushua nga puna pasi refuzoi të mbante kamerën e tij të ndezur gjatë punës, iu shkelën të drejtat e tij, ka vendosur një gjykatë holandeze. Punonjësit të kompanisë së IT-s me bazë në SHBA, Chetu iu dhanë rreth 75 mijë euro nga gjykata.
Siç raportohet, në muajin gusht, burrit, në Holandë, iu kërkua të ndajë ekranin e tij dhe të linte kamerën e tij të ndezur derisa punonte. Pasi nuk pranoi, ai u pushua nga puna me arsyen se “ka refuzuar të punonte”, si dhe për “mosbindje”. Chetu nuk ka dhënë deklaratë në gjykatë dhe kompania as nuk është paraqitur në seancën gjyqësore, thuhet në aktgjykim.
Gjykata vendosi për rastin në shtator, por gjetjet e saj u publikuan këtë muaj dhe u raportuan nga Netherlands Times. Kompania Chetu ka një degë në Holandë. Punonjësi në këtë rast në Holandë kishte punuar për kompaninë Chetu që nga viti 2019, kur në gusht iu kërkua të merrte pjesë në një “Program të Veprimit Korrektues (“CAP”) – Klasë Virtuale”, gjatë së cilës kamera e tij duhej të mbahej ndezur.
Sipas procesverbalit të gjykatës punonjësi refuzoi duke thënë: “Nuk ndihem rehat duke u monitoruar për nëntë orë në ditë nga kamera. Ky është një cenim i privatësisë sime dhe më bën të ndihem shumë në siklet. Kjo është arsyeja pse kamera ime nuk është e ndezur. Ju tashmë mund të monitoroni të gjitha aktivitetet në laptopin tim dhe unë po ndaj ekranin tim”.
Në përgjigje të kundërshtimeve të punonjësit, Chetu argumentoi se kjo nuk ndryshonte nga vëzhgimi i një punonjësi në një mjedis zyre. Por gjykata nuk u pajtua, duke cituar një vendim të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që thuhet, deklarohej se, “përgjimi me video i një punonjësi në vendin e punës, qoftë i fshehtë apo jo, duhet të konsiderohet si një ndërhyrje e konsiderueshme në jetën private të punonjësit”. Gjykata konstatoi se nuk kishte justifikim të mjaftueshëm për monitorimin nga Chetu dhe për rrjedhojë kishte shkelur të drejtat e privatësisë së punonjësit. /Telegrafi/