Deklarata e një ditë më parë e Zv/kryeministrit për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi sipas së cilës përqindja e të papunëve në vendin tonë që nuk kanë as arsim fillor, rezulton të jetë e pasaktë. Mediat kontaktuan me drejtorin e Agjencisë për Punësim duke kërkuar nga i njëjti nëse mund t’i konfirmojë këto të dhëna, por përqindja që ata kanë është shumë herë më e vogël.
“Në Agjencinë për Punësim janë të evidentuar rreth 114 mijë persona aktiv, të cilët në mënyrë aktive kërkojnë punë. Nga ky numër i përgjithshëm sa i përket aspektit të arsimimit mund të them se janë diku 13.4% apo mbi 15 mijë persona janë pa asnjë lloj shkollimi, përfshirë këtu edhe pa shkollë fillore. Ndërsa 51 222 persona, ose 46.8% e personave të papunë nuk kanë arsim të mesëm”, tha Bekim Murati- drejtor i Agjencisë për Punësim.
Këto të dhëna të Agjencisë së Punësimit hedhin poshtë në tërësi deklaratën e zv/kryeministrit Bytyqi, të bërë një ditë më parë, kur dha shifra të larta të të papunëve, që sipas tij janë të paaftë për tregun.
“Fatkeqësisht, 63 për qind e të papunëve në Agjencinë e Punësimit nuk kanë arsim fillor. Nëse nuk duam të përdorim terminologji të tillë, do të themi se janë të shkolluar jofunksionalisht, për të mos përdorur fjalën negative”, tha dje Fatmir Bytyqi zëvendëskryeministër për çështje Ekonomike.
Ndërkohë në listën e Agjencisë për Punësim figurojnë 973 persona të papunë me shkollim të lartë, me arsim sipëror janë mbi 8 mijë persona, magjistër të shkencave janë 638 persona dhe 21 doktor shkencash. Numri më i lartë i të papunëve rezulton të jetë në Kryeqytet.
Qytetet me numrin më të lartë të të papunëve:
Shkup – 21 988 — 19.1%
Tetovë – 14 095 — 12.3%
Kumanovë – 12 223 — 10.6%
Manastir – 4 709 — 4.1%
Kërçovë – 3 572 — 3.1%
Ohër – 3 207 — 2.8%
Vitin e kaluar pemës Agjencisë së Punësimit mbi 12 mijë persona janë sistemuar në vende pune. /Alsat/