Petrovska: “Çdo pëllëmbë e vendit tonë është nën mbrojtjen e NATO-s”


Përfitimi më i madh i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO është siguria që sot ndjejnë qytetarët tanë, duke e ditur se janë pjesë e një familjeje të madhe që kujdeset për sigurinë e përbashkët kolektive, theksoi ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska në Ohër.

Në ligjëratën me temën “Sfidat aktuale të sigurisë dhe perspektivat nga anëtarësimi në NATO gjatë lu*ftës në Ukrainë”, ajo iu referua përfitimeve të Maqedonisë së Veriut nga anëtarësimi në NATO, si dhe kërcënimeve hibride dhe kibernetike, duke përfshirë dezinformimin si kërcënim për sigurinë.

“Çdo pëllëmbë e vendit tonë është nën mbrojtjen e mbrojtjes kolektive dhe kjo sjell një të ardhme të sigurt dhe të begatë”, tha Petrovska. Ajo theksoi se është rezultat i vendimeve të guximshme dhe të vështira, por të drejta.

“Ky vit ka treguar realitetin e ashpër se lu*fta në tokën evropiane nuk i përket të shkuarës dhe se paqja nuk është e garantuar. Prandaj, zhvillimi i kapaciteteve mbrojtëse është domosdoshmëri dhe ndërtimi i rezistencës duhet të jetë prioriteti ynë në vazhdimësi”, theksoi Petrovska.