Liqeni i Ohrit do të zbrazet që të prodhohet energji elektrike – Ja kur do të fillojë procesi


Këtë dimër shteti do të përdorë edhe liqenin e Ohrit për të prodhuar energji elektrike, edhe pse aktivistët civil me vite paralajmërojnë se liqeni nuk duhet të trajtohet si rezervuar artificial për profit.

“Plani i prodhimit është që pas datës 10 tetor të fillojë prodhimi i energjisë elektrike, por vetëm për shërbimet e sistemit dhe baraspeshës”, tha Vasko Kovaçevski- drejtor i EMV-së. Për momentin, kuota e liqenit të Ohrit është 693.36 metra mbi nivelin e detit. Kjo është 26 centimetra më shumë se mesatarja për këtë periudhë të vitit..

“Nuk planifikojmë që lartësitë të bien nën atë që lejohet, sepse biodiversiteti në këto kapacitete tashmë vihet në pikëpyetje”, u shpreh Vasko Kovaçevski- drejtor i EMV-së. Biologët thonë se çdo shfrytëzim i liqenit dhe “loja” me nivelin e tij ndikon negativisht në mbarë ekosistemin.

“Si ekspert të ruajtjes së natyrës mendojmë se për shkak të thatësirës gjatë verës dhe në kohën kur kemi ulje të nivelit të ujit të liqenit, prodhimi i energjisë elektrike është i dëmshëm për florën dhe faunën në liqenin e Ohrit. Jo vetëm kjo. Ne e dimë se uji i liqenit të Ohrit është i pasur me lëndë ushqyese dhe këto substanca janë të nevojshme për florën dhe faunën. Dhe nga ky aspekt dëmtojnë florën dhe faunën”, theksoi Bekim Ziba-biolog.

E gjithë kjo ndodh në kohë kur shteti njofton se do t’i vendos në dispozicion të gjitha resurset dhe kapacitetet për përballimin e krizës energjetike, sidomos në muajt në vijim, andaj nëse është e nevojshme do të lëshohet edhe liqeni i Ohrit./Alsat.mk