“Kthim nga kjo rrugë e shenjtë nuk ka”/Ibraimi flet pas sulmit fizik ndaj tij në Haraçinë, tregon arsyet


Kreu i komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi përmes një njoftimi është deklaruar pas sulmit fizik ndaj tij gjatë ditës së sotme. Ibraimi thotë se sulmi ndaj tij është bërë për shkak se ai nuk ka pranuar të emërojë persona të caktuar në pozita të caktuara. Ai thotë se kërkesat e atyre që e sulmuan janë në dëm të qytetarëve dhe se autoritetet tashmë kanë marrë masat për ndëshkimin e autorëve të sulmit.

Në vijim shkrimi i plotë i Ibraimit:

Të nderuar banorë të komunës së Haraçinës dhe ju opinion më i gjerë, fatkeqësisht, sot më datë 13.09.2022 (e martë), në orët e para të fillimit të orarit të punës, gjatë kryerjes së detyrës zyrtare si kryetar i komunës së Haraçinës, pa pritur isha objekt-sulmi nga një grup i personave të papërgjegjshëm, të pandërgjegjshëm e të paturpshëm, të cilët tash më janë të njohur për organet e rendit.

Pa asnjë paralajmërim e sqarim, grupi menjëherë u vërsul në sulm, i cili fillimisht ishte verbal, e më pas edhe fizik, gjë që përbën vepër e rëndë penale sipas kodit penal të RMV-së.

Arsyet e sulmit ishin mosrealizimi i kërkesave të tyre personale e biznesore. Gjoja me veprimet e mia si kryetar komune ua prishi hesapet e tyre. Fillimisht kërkojnë që emërimet e drejtorëve të shkollave fillore të bëhen sipas kërkesave të tyre, duke mos plotësuar asnjë kriter ligjor, por përmes së cilëve do të munden që më me lehtësi ti realizojnë qëllimet si dhe të jenë në shërbimin e tyre. Synimet e këtij grupi janë me prapavija të këqija,e që janë në dëm të banorëve të komunës, duke kërcënuar e shantazhuar ekipet e shumta që i kryejnë obligimet e veta, e që janë pjesë të projekteve të ndryshme.

Këtij grupi njerëzish të pandërgjegjshëm si dhe shumë të tjerëve, ua bëj me dije se, qëllimi im i kandidimit për kryetar komune nuk ishte se unë erdha nga rrugët, i papunë, e as që të pasurohem ose të lidhem me biznese të ndyta ashtu siç dikush ka patur pretendime, por qëllimet e mia dhe të stafit tim ishin dhe janë fisnike e të pastërta nga çdo pluhur kriminel.

Pa mare parasysh se çfarë natyre mund të jenë sulmet, qofshin ata verbale, fizike, mediatike apo virtuale, kthim nga kjo rrugë e shenjtë që e kemi nisur nuk ka. Këtë është mirë që ta fusin në kokat e tyre të gjitha ata që dëshirojnë të përfitojnë kurriz të popullit.

Ne edhe gjatë fushatës zgjedhore dhamë zotimin tonë se KURRËN E KURRËS nuk do ta zhgënjejmë popullin që e përfaqësojmë. Andaj, nuk ndalemi së realizuari projekte kapitale për banorët e komunës së Haraçinës. Bëjmë përpjekje maksimale që çdo banori ti ofrojmë kushte sa më të mira për një jetesë normale.

Sulmet e këtilla ende më tepër na përforcojnë në këtë rrugë, e assesi të na frikojnë. Andej, u bëj apel, fillimisht familjarëve më të afërt, më pas shokëve e dashamirëve, mbështetësve e përkrahësve, të gjitha atyre që ndjekim këtë rrugë bashkërisht, që mos të bien preh e provokimeve të tilla të ulta nga njerëz të papërgjegjshëm, të pandërgjegjshëm, të paturpshëm, që kanë humbur orientimin e tyre jetësor, që kanë humbur qëllimin e jetës së tyre. Rruga jonë e përbashkët është “Me dinjitet e me nderë i shërbejmë popullit tonë”.

Po ashtu, meqë tash më i kemi të gjitha provat e këtij rasti të turpshëm, ftoj organet kompetente, ato të ndjekjes dhe rendit publik, që të ushtrojnë detyrën e vet zyrtare dhe personat përgjegjës për këtë vepër të rëndë penale të dalin para organeve të drejtësisë dhe një herë e përgjithmonë, secili që ka synime të tilla kriminale, të merr dënimin e merituar.