Krerët e shtetit kërkojnë unitet mes komuniteteve të ndryshme në vend me qëllim që Maqedonia e Veriut të ecë përpara si në zhvillim, ashtu edhe në arritjen e qëllimeve strategjike. Presidenti Stevo Pendarovski në mesazhin e tij për Ditën e Pavarësisë, tha se uniteti i brendshëm është parakusht i suksesit. Ai kërkoi që secili të mendojë përtej interesit personal dhe për të mirën e përbashkët, me qëllim që shteti të jetë konkurrues dhe të arrijë zhvillim.
STEVO PENDAROVSKI, PRESIDENT
“Uniteti është parakushti kryesor i suksesit, ndërsa për të qenë më të suksesshëm në konkurrencën midis kombeve, duhet të rivendosim unitetin dhe të rikthejmë vetëdijen jo për interesin personal, por për të mirën e përbashkët. Sado i rëndësishëm të jetë një shtytës i proceseve shoqërore, interesi vetjak nuk mjafton për të ndërtuar një shoqëri me ndjenjë të zhvilluar të interesit kombëtar për të mirën e përbashkët. Prandaj, shtytësit e vërtetë të komunitetit duhet t’i kërkojmë tek ata që nuk janë të motivuar nga interesa të ngushta, por nga qëllime më të larta”
Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski me porosi të ngjashme kërkon bashkim të brendshëm në shtet. Kjo sidomos është e rëndësishme dhe e domosdoshme sipas tij për të tejkaluar krizat aktuale me energjinë elektrike, krizën ushqimore dhe inflacionin. Kovaçevski premtoi se qeveria do të punojë fort që negociatat me Bashkimin Evropian të përfundojnë sa më shpejtë dhe Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e plotë e BE-së.
DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Bashkimi i qytetarëve është garanci për paqen e brendshme. Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë garanci për paqen rajonale. Dhe bashkimi ynë mes 27 anëtarëve të Bashkimit Evropian është një perspektivë reale dhe e nevojshme për avancimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, sipas parimeve dhe vlerave evropiane. Negociatat e nisura planifikojmë t’i përfundojmë shumë shpejt me Bashkimin Evropian. Po punojmë shumë dhe me dinamikë të shpejtë që qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut t’i bëjmë sa më shpejt pjesë të familjes evropiane”.
Presidenti Pendarovski fajësoi edhe politikanët për ndarjet e thella mes qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, politika shpesh ka shkaktuar edhe zhgënjim për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Shpeshherë energjinë është harxhuar në akuza dhe pengesa të ndërsjella, dhe si pasojë thellimi i ndarjeve të brendshme është shndërruar në një ndër sfidat më të mëdha për vendin. /SHENJA/