Von der Leyen paralajmëron dështimin e Putinit dhe fitoren e Evropës


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, paralajmëroi dështimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, në manipulimin e tregjeve të energjisë në Evropë.

Ajo shkroi të hënën pasdite në Twitter, se Evropa do të triumfojë në këtë luftë, derisa njoftoi se Komisioni Evropian po përgatit planin për t’iu dalë në ndihmë familje në nevojë, në përballimin e çmimeve të larta.

“Putini po përdor energjinë si armë duke shkurtuar furnizimin dhe duke manipuluar tregjet tona të energjisë. Ai do të dështojë. Evropa do të mbizotërojë. Komisioni Evropian po përgatit propozime për të ndihmuar familjet dhe bizneset në nevojë për të përballuar çmimet e larta të energjisë”, shkroi Leyen.

Kompania ruse e energjisë, Gazprom, ka bërë me dije se nuk do t’i rinisë dërgesat e gazit në Gjermani, derisa kompania partnere të mos i riparojë pajisjet që pretendohet se janë dëmtuar.

Kompania gjermane, Siemens Energy, deklaroi se nuk e ka për detyrë riparimin, duke shtuar se riparimi i ndonjë pajisjeje nuk duhej të çonte në pezullim të gazit.

Ky nuk është kërcënimi i parë. Rusia i ka kërkuar Evropës t’ia heqë sanksionet e vendosura, në të kundërtën, gazi rus “nuk do të kalojë tubave të Evropës”.