Aktori amerikan, Brad Pitt hedh poshtë pretendimet e bëra nga bashkëshortja e tij, Angelina Jolie, sipas së cilës ai nuk ka mbështetur fëmijët e tyre.
Në dokumentet e gjykatës, të paraqitura së fundmi, ekipi ligjor i Pitt thotë se ai ka paguar më shumë se 1.3 milionë dollarë dhe i ka huazuar Jolie 8 milionë dollarë, për ta ndihmuar atë të blejë një shtëpi.
Më herët, avokati i Jolie kishte thënë se, Pitt nuk kishte paguar ndonjë shumë të konsiderueshme parash për fëmijët, që kur u paraqit kërkesa për divorc në vitin 2016.
Në dokumentet e gjykatës, avokatët e Pitt thonë gjithashtu se pretendimet e Jolie për kujdesin e munguar për fëmijët janë një përpjekje për të manipuluar opinionin e medies.
Çifti ka qenë bashkë që nga viti 2005, por u martuan vetëm në vitin 2014. Jolie ka cituar “dallime të pakorrigjueshme” në kërkesën e saj për divorc, e çifti u përfshi në një përplasje të ashpër për kujdestarinë e fëmijëve në muajt që pasuan.
Çifti, i cili ishte pagëzuar me pseudonimin “Brangelina” nga fansat, u takua në skenën e filmit “Mr. & Mrs. Smith” në vitin 2005. Martesa ishte e dyta për Brad Pitt, pasi më herët ai ishte martuar me yllin e serialit “Friends”, Jennifer Aniston, si dhe e treta për Jolie, pas atyre me aktorët Billy Bob Thornton dhe Jonny Lee Miller.