Qentë endacakë problem i pazgjidhur në Kërçovë – Dy gjimnaziste nisin peticion për të gjetur zgjidhje

Fillimi i vitit shkollor dhe prania më e madhe e nxënësve në rrugët e Kërçovës, ka rritur numrin e suleve nga qentë endacakë. Këto dy gjimnaziste, duke mos parë rrugëdalje, kanë vendosur të bëjnë një peticion online për gjetjen e një zgjidhjeje. Marija tregon raste sulmesh nga qentë, e një nga to është edhe nëna e saj e cila edhe sot vuan pasojat.

“Qëllimi i këtij peticioni është që qytetarët dhe kafshët të kenë kushte më të mira, ndërsa qytetarët të mundet që më lirshëm të shëtisin dhe ti kryejnë aktivitete e tyre, ndërsa kafshët të kenë një vend qëndrim, ushqim dhe ujë. Di më shumë raste ku familjarë dhe miq të mi janë sulmuar nga qentë, një nga to është nëna ime e cila duke u munduar të ikë e ka lënduar kurrizin”, tha Marija Gavrilovska. Martina tregon se ideja për peticion erdhi nga përballja e përditshme me qentë e rrugës, ku shkonin për në shkollë.

“Ideja na erdhi nga ajo se edhe ne jemi të sulmuar çdo ditë dhe numri i qytetarëve që janë të sulmuar nga qentë është çdo ditë e më i madh e më i madh, ne mendojmë se do të kemi sukses me peticionin sepse me të vërtetë jemi të vendosur për të gjetur një zgjidhje për këtë problem i cili është problem me vite. Ne çdo ditë sulmohemi nga qentë endacakë kur vijmë në shkollë dhe kur kthehemi, ja unë për shembull çdo ditë po sulmohem”, tha Martina Stojkovska.
Zgjidhja është shumë e lehtë, thonë gjimnazistet. Paratë që komuna i jep si dëmshpërblim për personat e sulmuar nga qentë, të mblidhen për t’u ndërtuar një strehimore për qentë.

“Parat që i jep për qytetarët për dëmshpërblim mund të dedikohen për t’u zgjidhur ky problem”, shtoi Gavrilovska.
Pasi peticioni të ketë përfunduar ato do të kërkojnë nga kryetari i komunës që ta zgjidhë problemin. Nga SPB-Ohër çdo ditë vijnë njoftime për raportimet e bëra nga qytetarët që janë sulmuar nga qentë endacakë. Të sulmuarit që denoncojnë rastin marrin dëmshpërblim nga 500 euro e sipër.