Përballë një dimri të vështirë siç po paralajmërohet nga liderët e vendeve evropiane, vendet e Ballkanit Perëndimor të angazhuar në nismën “Ballkani i Hapur” janë angazhuar për të ndihmuar njëri-tjetrin në rast se përballen me mungesa të furnizimeve ushqimore. Kështu është shprehur Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cili deklaroi se tre shtetet, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut do të bashkëpunojnë mes tyre nëse përballen me probleme.
“Të bërit bashkë dhe të punuarit bashkë është motori që na shtyn përpara përmes sfidave të dimrit të ashpër. Kemi mbledhur së bashku për të nxitur bashkëpunimin rajonal. Kemi ndërtuar marrëdhënie miqësore dhe besim si vende mike, ndërkohë që shohim dhe këtë lloj bashkëpunimi të realizuar në BE. Ne e bëjmë këtë për qytetarët e vendeve tona për të nxitur bashkëpunimin midis nesh.
Do të angazhohemi për disponueshmërinë e ushqimit për qytetarët tanë. Siç duhet të bëjnë fqinjët e mirë, do ta ndihmojmë njëri-tjetrin në rast se do ketë mungesa në furnizimet ushqimore. Nëse secili prej vendeve tona do përballet me probleme të tilla, nuk do ketë ndalesë nga ne, do ketë qarkullim për një numër prodhimesh bujqësore”.