Bajrami me thirrje drejtuar EVN-së dhe Qeverisë: “Tallja me Haraçinën të përfundojë sa më shpejtë”

Ndërprerja e energjisë elektrike për ditë me radhë në Haraçinë është një rast i paprecedentë ku bëhet diskriminim kolektiv i një vendbanimi. Kështu akuzon deputeti i Lëvizjes BESA, Bastri Bajrami, i cili ka mbështetur protestën e sotme të banorëve të Haraçinës para zyrave të EVN-së, ndërsa i ka bërë thirrje Qeverisë që ta zgjidhë sa më shpejtë situatën e krijuar në këtë vendbanim të madh të vendit. “Kjo tallje që bëhet me bashkëvendësit e mi duhet të përfundojë sa më shpejt”, shkruan deputeti i BESËS.

Postimi i plotë i deputetit Bastri Bajrami:
Solidarizohem plotësisht me protestën e bashkëvendësve të mi të Haraçinës
Meqenëse aktualisht nuk jam në Shkup dhe me vonesë jam njoftuar për protestën, më vjen keq që në të njëjtën nuk kam mundur të marrë pjesë. Si qytetar i këtij vendbanimi, e sidomos si deputet i kësaj zone, i mbështes plotësisht protestën e qytetarëve të Haraçinës kundër EVN-së. Nuk mundet që për shkak të disa qytetarëve që, thuhet se nuk i paguajnë faturat, të penalizohet një komunë e tërë. Ky është një rast i paprecedentë ku bëhet diskriminim kolektiv i një vendbanimi.

Nuk duhet harruar se ndër ata që nuk paguajnë, ka raste të cilët edhe pse duan, nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë, për shkak të gjendjes së tyre ekonomike dhe sociale, dhe për këta qytetarë duhet të gjejë zgjidhje Qeveria. Apeloj te EVN, por edhe te institucionet tjera shtetërore që kjo situatë e krijuar të zgjidhet sa më shpejt. Si deputet, këtë çështje do ta iniciojë edhe në Parlament. Kjo tallje që bëhet me bashkëvendësit e mi duhet të përfundojë sa më shpejt.