Qyteti i Shkupit nuk do ta ndërpresë ndriçimin publik për të kursyer rrymën. Kryetarja Danella Arsovska thotë se siguria publike është më e rëndësishme. Megjithatë propozon masa të tjera për kursimin e rrymës. Arsovska thotë se pavarësisht krizës, nuk do të ndërpriten projektet e rëndësishme.
“Qyteti i Shkupit, cilatdo qofshin kushtet, nuk do ta ndërpresë ndriçimin publik të rrugëve dhe bulevardeve të cilët janë në kompetence të Qytetit të Shkupit. Vlerësojmë se prioritet duhet të ketë interesi publik, veçanërisht siguria e qytetarëve”, u shpreh Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit.
Është ky zotimi i kryetares së Qytetit të Shkupit e cila thotë se ky institucion do të ndërmarrë masa të tjera për kursimin e energjisë elektrike dhe do t’u rekomandojë institucioneve dhe ndërmarrjeve që janë nën kompetenca të tij të bëjnë të njëjtën. Ndër masat që do merren është reduktimi i ndriçimit në 70% dhe ndryshimi në etapa i dritave të zakonshme me drita LED. Gjithashtu institucioneve do t’u rekomandohet të kufizohet ndriçimi mbi ndërtesa si dhe dritat e reklamave. Se çfarë do të bëjnë me ndriçimin publik komunat nën Qytetin e Shkupit, Arsovska thotë se është vendim i tyre autonom. Në mes të një krize energjetike dhe ekonomike, Arsovska thotë se nuk do të ndalojë realizimi i projekteve të rëndësishme.
“Atë që e kemi premtuar për qytetarët, edhe përskaj asaj që kemi gjendje krize duhet të përpiqemi ta realizojmë veçanërisht kur bëhet fjalë për projekte të cilat janë më rëndësi të veçantë për jetën dhe shëndetin e tyre. Pjesë e shkurtimeve të këtyre shpenzimeve joproduktive është ndërprerja e praktikës së blerjes së gjërave luksoze, shpenzimeve të përfaqësimit dhe shpenzimi në objekte gastronomike. Këtë nuk e kemi më në Qytetin e Shkupit”, tha Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit.
Arsovska premtoi se do të vazhdojë vendosja e paneleve diellore në objektet që janë nën kompetencë të Qytetit të Shkupit dhe vendosja e plotë e tyre do të përfundojë për dy vjet. /Alsat.mk