Banorë të Komunës së Haraçinës denoncuan mungesën e energjisë elektrike prej disa ditësh. Në zyrat e EVN-së në Butel ato kërkuan sqarime për mungesën e rrymës në të gjithë fshatin por përgjigja që morën është se bëhet fjalë për një defekt i cili nuk do të sanohet së shpejti.
“Gjendja vjen dhe rëndohet në Komunën e Haraçinës. Njerëzit pësojnë dëme. Problem kryesor është që Haraçina nuk ka ujësjellës dhe të gjithë furnizohen vetëm prej puseve dhe puset funksionojnë vetëm me rrymë. Kështu që ne kur s’kemi rrymë, komplet Haraçina nuk ka as ujë. Ajo që na tha se dihet tani për tani është e sigurt që edhe një periudhë nuk do të ketë rrymë deri sa qendra nuk ju jep leje që të vijnë ta sanojnë problemin”, tha Shefik Duraku, banor i Haraçinës.
Ju që jeni këtu sot, jeni pagues të rregullt?
“Po, po ne kemi marrë faturat me vete por këto thonë neve s’na intereson ajo punë”, u përgjigj Shefik Duraku, banor i Haraçinës.
“Dëme kemi shumë. Ne janë prishur frigoriferët, kemi dhe njerëz të sëmurë. Nesër na kanë këtu. Tjetër rrugëdalje nuk ka me këto. Ja ku i kam faturat e paguara”, tha një banor i Haraçinës. Mungesa e rrymës në Haraçinë përsëritet herë pas herë. Nga EVN-ja thonë se defekti është paraqitur mëngjesin e të hënës dhe ai është pasojë e shfrytëzimit të vazhdueshëm ilegal të energjisë elektrike nga ana e banorëve.
“Në komunën e Haraçinës ndodhi defekt i madh në mëngjesin e së hënës. Defekti ndodhi si pasojë e mbingarkesës së madhe të trafostacioneve për shkak të shfrytëzimit të vazhdueshëm ilegal të energjisë elektrike nga ana e banorëve”, thonë nga EVN.
Në Haraçinë ekipet tona shumë shpesh ballafaqohen me sulme verbale dhe fizike nga ana e banorëve, me çka në tërësi pamundësohet kryerja e punës. Përderisa nuk ekzistojnë kushte normale për punë dhe ka pengesë në kryerjen e punës, nuk do të ketë mundësi për sanim. Ditë më parë, kreu i Komunës së Haraçinës Ridvan Ibraimi shkroi i facebook se EVN-ja ka mekanizma t’i detyrojë qytetarët të paguajnë faturat por vlerëson se problem ka prapavijë tjetër.
“Edhe përskaj asaj që kjo çështje nuk bie nën kompetencë të komunës së Haraçinës, ne jemi të gatshëm që, së bashku me bashkësitë lokale të vendbanimeve të komunës së Haraçinës, me përfaqësuesit e EVN-së si dhe të policisë, të dalim në teren dhe ta zgjedhim një herë e përgjithmonë problemin e instaluar – problemin e rrymës elektrike”, deklaroi Ridvan Ibraimi, kryetar i Komunës së Haraçinës.
Të pyetur nëse EVN-ja ka plan për zgjidhjen e problemit me vjedhjen e energjisë elektrike me qëllim që të mos penalizohen edhe paguesit e rregullt të faturave nga kjo kompani thonë se kanë realizuar me sukses projekte për zvogëlimin e humbjeve në disa vendbanime ku ka pasur kushte si në Likovë, Veleshtë, Çegran, Gradec, Zhelinë dhe Sellcë. /Alsat.mk