Protesta kundër vendosjes së kryqit në Krushevë! Banorët e Presillës: Është provokim, jemi të gjithë mysliman


Banorët e Presillës së Krushevës protestuan për të ndaluar vendosjen e kryqit 30 metra të lartë në fshatin e tyre. Ata e quajnë provokim pasi siç thonë të gjithë banorët në këtë fshat i përkasin fesë Islame. Kryqin janë përpjekur ta vendosin banorët e fshatrave përreth të cilët i takojnë komunitetit maqedonas.

“Në fshatin Presillë ku banojnë 100% shqiptarë dhe mysliman. Fshatrat fqinje janë përreth pothuajse janë të gjithë maqedonas dhe nuk patën zgjidhje që ta vendosin një kryq prej 30 metra, në ndonjë fshat prej tyre por e zgjodhën fshatin Presillë. Në Presillë ekziston kishë, është e vjetër nuk e di sa. Mirëpo vendosën ta rindërtojnë duke e përdorur edhe për manifestime. Filluan ta keqpërdorin atë mirësinë tonë që ne e kemi ruajtur kishën e tyre mos të dëmtohet, mos të vidhet.”– deklaroi Xhemail Fejzullahu, banor i fshatit Presillë.

Ky është vendi ku u planifikua të vendoset kryqi, pa leje nga institucionet përkatëse. Nga Komuna e Krushevës thonë se tani për tani është ndërprerë procedurat e vendosjes së kryqit, për të parë nëse do të jepet leje nga kompetentët.

“Në fshatin Persillë, komuna e Krushevës, është tentuar të vendoset një kryq në oborrin e kishës ekzistuese ortodokse. Procedura është ndërprerë për faktin se nuk është marrë leja nga pikëpamja urbanistike dhe fjalën e fundit duhet ta thonë institucionet. Gjithashtu, vendbanimet në komunën e Krushevës gjithmonë kanë nxitur bashkëpunim dhe komunikim të mirë, por këtë herë ai ka munguar. Bashkëqytetarët nga fshati Presillë për këtë nuk ishin të informuar dhe kjo ka shkaktuar revoltë mes tyre.”– tha Sotir Gabeloski, zëdhënës i komunës së Krushevës.

Ndërkaq komuna e Krushevës ju bën thirrje banorëve që në të ardhmen të vazhdojnë komunikimin e mirë mes tyre si dhe të angazhohen për zgjidhjen e problemeve tjera, të infrastrukturës dhe ekonomisë.